Sot mbahet seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së policit Muhamet Lika
BKT
Lajme

Sot mbahet seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së policit Muhamet Lika

Sh.Ç/RTKlive

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, sot duke filluar nga ora 09:00, mbahet seanca gjyqësore në rastin që lidhet me vrasjen e zyrtarit policor Muhamet Lika.

Në këtë seancë pritet të vazhdojë shqyrtimi gjyqësor, ku palët do të paraqesin provat dhe argumentet e tyre në lidhje me rastin që ka tërhequr vëmendje të madhe të opinionit publik.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, më 9 janar të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave me inicialet H.B, R.M, V.Ç, E.L, SH.K dhe D.G.

Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohen se në bashkëkryerje, më 1 prill 2025 rreth orës 23:00 në Kaçanik, kanë privuar nga jeta rreshterin Muhamet Lika me armë zjarri, duke vepruar sipas Prokurorisë me përgatitje paraprake dhe me përfshirjen edhe të një personi të mitur.

Prokuroria ka kërkuar që pas shqyrtimit të të gjitha provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, ndërsa ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit deri në përfundim të procedurës gjyqësore. 

 


MË SHUME NGA Lajme