MMPH paralajmëron aksione kundër uzurpimeve në Batllavë dhe Badovc
Medina Pasoma / RTKlive
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka paralajmëruar aksione kundër uzurpimeve dhe ndërtimeve pa leje rreth Liqenit të Batllavës dhe Liqenit të Badovcit.
“Në kuadër të të njëjtit prioritet strategjik, po shqyrtohen me intensitet të lartë edhe kërkesat e tjera institucionale që lidhen me uzurpimet dhe ndërtimet pa leje sidomos rreth Liqenit të Batllavës dhe Liqenit të Badovcit, dy burime kyçe të furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët tanë”, njofton kjo ministri.
Sipas njoftimit, Inspektorati i MMPH-së po vijon identifikimin e plotë të shkeljeve në këto zona dhe, sapo të përfundojë ky proces, do të ndërmerren masa ligjore për rikthimin e këtyre hapësirave në funksion të interesit publik.
“Aksioni i fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, ku me asistimin e Inspektoratit të MMPH-së dhe Policisë së Kosovës u rrënuan 16 objekte të ndërtuara pa leje në pronat ujore nën administrimin e N.P. "Ibër-Lepenci", është vetëm një nga hapat e këtij plani. Të gjitha palët e përfshira në këtë aksion ishin njoftuar paraprakisht në përputhje të plotë me procedurat ligjore”, thekson MMPH-ja.























