Rritje e pritjeve në disa pika kufitare, Dheu i Bardhë më i ngarkuari
Sh.Ç/RTKlive
(E plotësuar) Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat mbi qarkullimin në pikat kufitare, duke treguar se në disa pika janë krijuar pritje më të gjata për hyrje në Kosovë.
Pika kufitare Dheu i Bardhë aktualisht ka pritjen më të gjatë për automjete në hyrje, rreth 50 minuta, me kolonë prej 200 metrash.
Edhe në Vërmicë janë regjistruar pritje prej 25–30 minutash në hyrje dhe kolona 250–300 metra, ndërsa në Bërnjak pritjet janë 15–20 minuta me kolonë 200 metra.
Në Hanin e Elezit pritja në hyrje është 20 minuta, ndërsa në Muçibabë rreth 20 minuta si në hyrje ashtu edhe në dalje. Në Jarinjë pritjet janë rreth 10 minuta në të dy drejtimet, ndërsa në Merdarë 5–10 minuta.
Pikat e tjera kufitare, përfshirë Kullën, Qafën e Morinës, Qafën e Prushit, Glloboqicën, Mutivodën dhe Stançiqin, raportojnë pritje të shkurtra prej 3–5 minutash, pa kolona të konsiderueshme.
Sipas të dhënave të përditësuara ora 13:14, qarkullimi i kamionëve mbetet normal në të gjitha pikat kufitare, me pritje kryesisht 3–5 minuta dhe pa kolona.
Fluks i qetë në kufi, pritje deri në 25 minuta vetëm në Dheu i Bardhë
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka publikuar të dhënat më të fundit për gjendjen në pikat e kalimit kufitar, sipas të cilave qarkullimi i automjeteve dhe kamionëve është kryesisht i rregullt, me pritje të shkurtra në shumicën e pikave.
Sipas raportit të përditësuar në ora 10:17:44, në shumicën e pikave kufitare koha e pritjes për automjete dhe kamionë është nga 3 deri në 5 minuta, pa kolona të regjistruara.
Pritja më e gjatë është evidentuar në pikën kufitare Dheu i Bardhë, ku në hyrje të automjeteve koha e pritjes arrin në rreth 25 minuta, me kolonë prej 100 metrash. Në dalje nga kjo pikë, pritja është rreth 3–5 minuta.
Në pikën kufitare Vërmicë, në dalje të automjeteve është raportuar pritje prej 5–10 minutash, ndërsa në pikat e tjera qarkullimi vazhdon pa vonesa të theksuara.
Autoritetet u bëjnë thirrje udhëtarëve që para nisjes të informohen për gjendjen në kufi dhe të zgjedhin pikat alternative të kalimit në rast të ngarkesave të shtuara.
Fluks i qetë në kufijtë e Kosovës, pa kolona në pikat kufitare
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë të ditur se mëngjesin e së dielës fluksi në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Kosovës është i qetë, me pritje minimale si për automjetet ashtu edhe për kamionët.
Sipas të dhënave të përditësuara në orën 07:31, në shumicën e pikave kufitare koha e pritjes për hyrje dhe dalje është nga 3 deri në 5 minuta, ndërsa nuk janë raportuar kolona automjetesh.
Në pikën kufitare të Vërmicës është regjistruar një pritje pak më e gjatë në dalje për automjetet, prej 5 deri në 10 minuta, ndërsa në hyrje pritja mbetet 3 deri në 5 minuta. Edhe në këtë pikë nuk janë evidentuar kolona.
Gjendje e njëjtë paraqitet edhe në pikat kufitare Bërnjak, Dheu i Bardhë, Glloboqicë, Hani i Elezit, Jarinjë, Kullë, Merdarë, Muçibabë, Mutivodë, Qafë e Morinës, Qafë e Prushit dhe Stançiq, ku qarkullimi zhvillohet normalisht.
Edhe për transportin e mallrave nuk ka pritje apo kolona, pasi kamionët po kalojnë kufirin brenda 3 deri në 5 minutave në të gjitha pikat e kalimit kufitar.























