Biznesmenë të afërt me Vuçiqin po hyjnë në tregun mediatik të Maqedonisë
BKT
Lajme

Biznesmenë të afërt me Vuçiqin po hyjnë në tregun mediatik të Maqedonisë

RTKlive

Biznesmenë të medias serbe, të afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po zgjerojnë aktivitetin në hapësirën mediatike të Maqedonisë së Veriut.

Sipas agjencisë INA, grupi serb “Alo Media Sistem DOO Beograd” është në proces të blerjes së televizionit “Naša TV” dhe radios “Radio RFM”, në pronësi të Risto Gogovskit.

Transaksioni po realizohet përmes kompanisë lokale “Alo Media Sistem DOOEL Shkup”, e cila është themeluar për të mundësuar blerjen e këtyre dy mediave.

Për ndryshimin e strukturës së pronësisë pritet të vendosë Këshilli i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (AVMU). Ndërkohë, Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës pritet të vlerësojë nëse blerja mund të krijojë një pozitë monopolistike në treg.

Pronari aktual i dy mediave, Risto Gogovski, ka konfirmuar se është nënshkruar një letër synimi për shitblerjen, por ka thënë se negociatat për kontratën përfundimtare janë ende në zhvillim.

“Fokus” ka raportuar se procesi mund të përfundojë brenda një afati prej 90 ditësh, nëse institucionet kompetente japin miratimin e nevojshëm.

Grupi “Alo” është një nga grupet mediatike të njohura në Serbi dhe publikon gazetën ditore “Alo” dhe portalin “alo.rs”. Pronari dominues i grupit është biznesmeni Sasha Blagojeviq, i cili ka zgjeruar aktivitetin e tij edhe përmes investimeve në media të tjera në Serbi dhe Mal të Zi.

Sipas raportimeve të mediave serbe, hyrja në tregun e Maqedonisë së Veriut do të përbënte zgjerimin e parë të madh rajonal të grupit jashtë Serbisë.

Ndërkohë, mediat e lidhura me grupin dhe pronarët e tij janë cilësuar si mbështetëse të politikave të pushtetit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe partisë së tij SNS.


MË SHUME NGA Lajme