Abdixhiku: Stabiliteti institucional, kyç për rrugën evropiane të Kosovës
BKT
Lajme

Abdixhiku: Stabiliteti institucional, kyç për rrugën evropiane të Kosovës

K. K./ RTKlive

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ministrin e Deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad, me të cilin ka diskutuar zhvillimet politike në Kosovë, procesin e integrimit evropian dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës.

Sipas njoftimit të LDK-së, gjatë takimit, Abdixhiku ka theksuar rëndësinë e funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës, duke vlerësuar se stabiliteti institucional është një parakusht për avancimin e reformave, zhvillimin ekonomik dhe përparimin e agjendës euroatlantike të vendit.

“Funksionalizimi sa më i shpejtë i institucioneve të Republikës së Kosovës është thelbësor për të garantuar stabilitet, për të shtyrë përpara reformat dhe për të avancuar rrugën evropiane të vendit”, theksoi Abdixhiku.

Tutje thuhet se ai ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës, duke vlerësuar rolin e saj në përkrahjen e proceseve demokratike dhe perspektivës evropiane të vendit.

“Francës i jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe për rolin e saj në fuqizimin e proceseve demokratike, perspektivës evropiane dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve”, ka thënë ai.


MË SHUME NGA Lajme