Gala Mbrëmja e RLIOF nesër jehon me moton ‘Play Music, Not War’
Medina Pasoma / RTKlive
Një ditë para Gala Mbrëmjes që do të bëjë bashkë emra eminentë të muzikës klasike, organizatorët e “Rame Lahaj International Opera Festival” kanë shpalosur vizionin e këtij edicioni nëpërmjet një konference për media.
Me moton “Play Music, Not War”, Prishtina nesër do të shndërrohet në kryeqytetin që muzika bën ftesë për paqe.
Përveç vet kryeorganizatorit e tenorit shqiptar Ramë Lahaj, do të dëgjohen edhe zërat e sopranos Vanessa Goikoetxea, mezzo sopranos Štěpánka Pučálková dhe bass baritonit Luca Pisaroni, nën dirigjimin e Giuseppe Finzi.
Gjatë konferencës për media, tenori Lahaj potencoi se motoja e sivjetme e ngjarjes u zgjedh pikërisht duke pasur parasysh luftërat e fundit në Ukrainë, Palestinë dhe rrethanave tjera globale.
Ai foli edhe për rëndësinë e këngës shqipe në jetën dhe karrierën e tij artistike, duke theksuar se ajo mbetet një nga shtyllat kryesore të veprimtarisë së fondacionit.
“Jam rritur me këngën shqipe. Kam dëgjuar Nexhmije Pagarushën, Vaçe Zelën dhe shumë artistë të tjerë shqiptarë. Edhe kur kam udhëtuar për prova, në kufje kam pasur gjithmonë këngën shqipe. Për këtë arsye kemi punuar që edhe festivali ta zgjerojë këtë platformë, veçanërisht me mbrëmjen kushtuar Nexhmije Pagarushës”, tha ai.
Drejtoresha artistike e Operës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, Blerta Ristani, vlerësoi bashkëpunimin me festivalin, duke e cilësuar pjesëmarrjen e orkestrës si një moment të veçantë në përmbyllje të sezonit artistik.
“Është viti i dytë që marrim pjesë në këtë festival, gjë që dëshmon seriozitetin e bashkëpunimit. Për orkestrën tonë ky projekt është një lloj rilindjeje në fund të sezonit dhe të gjithë instrumentistët e presin me shumë entuziazëm”, tha Ristani.
Ndërkaq, anëtarja e bordit të Fondacionit “Rame Lahaj”, Mary Miller, tha se puna që po bën fondacioni ka ndikim të madh te fëmijët, të rinjtë dhe komunitetet, duke u ofruar atyre mundësinë të zbulojnë potencialin e tyre përmes artit.
“Kjo është hera e tretë që vij në Kosovë dhe është kënaqësi të shoh se si po rritet e po zhvillohet ajo që po ndërtohet këtu. Është e mrekullueshme të dëgjosh zëra të jashtëzakonshëm, një mbrëmje të shijosh një performancë të mrekullueshme opere, e pastaj të nesërmen të bisedosh me fëmijët për këto çështje kaq të rëndësishme”, tha ajo.
Gala mbrëmja do të nisë nesër në 20:30 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.























