Sveçla: Nuk do të ndalemi deri në gjetjen e personit të fundit të zhdukur
BKT
Lajme

Sveçla: Nuk do të ndalemi deri në gjetjen e personit të fundit të zhdukur

K. Kasumi / RTKlive

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar fshatin Kalludër e Vogël në Zubin-Potok, ku kanë nisur gërmimet pas gjetjes së mbetjeve mortore.

Sveçla tha se zbulimi i varrezës masive është rezultat i punës intensive të institucioneve të sigurisë, Prokurorisë Speciale, Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) dhe bashkëpunimit me qytetarët.

Ai bëri me dije se puna po zhvillohet në disa drejtime, në aspektin hetimor për identifikimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve për krimet e luftës, në aspektin shkencor për identifikimin e mbetjeve mortore.

“Nuk do të jemi të qetë e të kënaqur deri në zbulimin e të zhdukurit të fundit dhe deri në ndëshkimin e secilit fajtor”, deklaroi Sveçla.

Ai theksoi se Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës është forcuar si në strukturë, ashtu edhe në numrin e hetuesve, gjë që sipas tij ka ndikuar në arritjen e rezultateve konkrete.

Sveçla akuzoi gjithashtu Serbinë për mungesë bashkëpunimi në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, duke thënë se autoritetet serbe jo vetëm që nuk ndihmojnë procesin, por edhe e pengojnë dhe e sabotojnë atë.

"Tashmë dihet se shteti i Serbisë, ai që ka qenë atëherë është i njëjtë me shtetin apo udhëheqjen politike të Serbisë tash. Ata jo vetëm se s'po bashkëpunojnë për të zbuluar fatin e të pagjeturve, por për më keq po pengojnë e sabotojnë punën e institucioneve të Kosovës, qoftë në Serbi, po ashtu edhe në territorin e Kosovës. Ju i patët e dëgjuat deklaratat qoftë të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë e Metohi, qoftë të Listës Serbe, qoftë të individëve të tjerë apo zyrtarëve të tjerë, të cilët në vend se të shprehin keqardhje dhe gatishmëri për bashkëpunim, ata vazhdojnë me arogancën e tyre, vazhdojnë me lojën e viktimizimit, në mënyrë që zgjidhja e kësaj çështjeje jashtëzakonisht të dhimbshme si për familjet, por po ashtu edhe për gjithë shoqërinë, të përfundojë domethënë të gjejmë të gjithë të pagjeturit", pohoi Sveçla.

“Ne nuk do të ndalemi. Do të punojmë edhe më shumë dhe do të përkrahim të gjithë edhe më shumë. Me këtë qasje, rezultatet nuk do të mungojnë”, shtoi ai.

Sveçla theksoi se hetimet janë në fazën fillestare dhe se institucionet nuk duan të rëndojnë emocionalisht familjarët që presin informacione për më të dashurit e tyre.

“Kërkoj mirëkuptim që të mos futem në këto detaje, pasi kemi të bëjmë me një proces që sapo ka nisur dhe me ndjenjat e familjarëve që presin me padurim informacione të reja”, përfundoi ai.


MË SHUME NGA Lajme