Kurti: Çdo gërmim është një shpresë për familjet e të zhdukurve
Donika Sherifi/RTK
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë lansimit të Raportit të Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), ka folur edhe për procesin e kërkimit të personave të zhdukur dhe dyshimet për varreza masive në zonën e Zubin Potokut.
Kurti tha se deri më tani janë zhvilluar gërmime nga ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, Policisë së Kosovës dhe institucioneve përkatëse, me mbështetjen e EULEX-it.
“Për shumë familje, lufta ende nuk ka përfunduar, pasi ende nuk është zbardhur fati i më të dashurve të tyre të zhdukur. Për qindra familje, pritja vazhdon. Çdo gërmim është një shpresë, ndërsa çdo identifikim është një hap drejt së vërtetës dhe drejtësisë", tha Kurti.
Tutje shefi i ekzekutivit tha se megjithëse këto gërmime janë rezultat i punës së institucioneve të Kosovës, moszbatimi nga Serbia i Marrëveshjes së Brukselit për personat e zhdukur, të dakorduar më 2 maj, si dhe refuzimi për të hapur arkivat e ushtrisë, mbeten dëshmi se shteti fqinj vazhdon t’i shmanget përgjegjësisë për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit.























