`Dua` do ta përfaqësojë Kosovën në edicionin e 99-të të Academy Awards
G.K/RTKlive
Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se filmi “Dua”, me regji të Blerta Bashollit, është përzgjedhur si propozimi zyrtar i Republikës së Kosovës për kategorinë International Feature Film në edicionin e 99-të të Academy Awards®.
Sipas njoftimit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Komiteti Përzgjedhës i angazhuar nga QKK-ja e ka përzgjedhur njëzëri filmin “Dua” si propozimin zyrtar të Kosovës për këtë kategori.
Në deklaratën e Komitetit Përzgjedhës, të përbërë nga Kaltrina Krasniqi (kryesuese), Antoneta Kastrati, Ilir Hasanaj, Tristan Halilaj dhe Vullnet Sanaja, thuhet se filmi është vlerësuar për qasjen e tij artistike.
“Komitetit përzgjedhës e vlerësoi si veçanërisht të guximshme zgjedhjen artistike për ta rrëfyer një histori kaq komplekse përmes këndvështrimit të një të miture. Personazhi i Duas, i interpretuar me pjekuri të jashtëzakonshme nga Pinea Matoshi, sjell një performancë autentike, të besueshme dhe emocionalisht përmbajtësore”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu, Komiteti thekson se, “Përmes vizionit të saj autorial, Blerta Basholli ndërton një rrëfim të ndjerë, që trajton sinqertë një periudhë të rëndësishme të historisë së Kosovës. Duke ndërthurur një perspektivë intime me temat universale të identitetit, traumës dhe rezistencës, Dua dëshmon potencial të qartë për të rezonuar me audienca dhe juri ndërkombëtare. Andaj, komiteti vendosë unianimisht që Dua të jetë propozimi i Kosovës për edicionin e 99-të Çmimeve Oscar.”
QKK-ja thekson se ky vit shënon një moment të veçantë për kinematografinë kosovare, pasi Kosova do të përfaqësohet në garën për Academy Awards® me dy filma. Krahas filmit “Dua”, edhe filmi “Shame and Money” nga Visar Morina, fitues i Grand Jury Prize në Sundance Film Festival, është kualifikuar drejtpërdrejt në garën për çmimet Oscar.























