Kamenica në festë, promovohen dy libra në kuadër të `Festës Verore`
Zenel Hajrizi /RTK
Në Kamenicë, “Festa Verore” po vazhdon të dhurojë gjallëri përmes aktiviteteve të shumta kulturore, duke bërë bashkë banorët lokalë dhe mërgimtarët që po kalojnë pushimet në vendlindje. Në kuadër të këtij manifestimi nuk mungojnë as promovimet e librave, duke e shndërruar fjalën e shkruar në një urë lidhëse mes autorëve dhe lexuesve.
Atmosfera e Festës Verore në Kamenicë po pasurohet çdo ditë e më shumë me ngjarje kulturore që po mbledhin një numër të madh qytetarësh dhe bashkatdhetarësh nga mërgata. Një peshë të veçantë këtij manifestimi ia shtoi promovimi i dy veprave të reja të çiftit Xhemush dhe Sadbere Biçku. Librat “Yjet e Atdheut” dhe “40 Teknikat e Mësimit” sollën çaste emocionuese, ku arti dhe edukimi u bënë pikëtakim për të gjithë dashamirët e librit në vendlindje.
“Nga njëra anë kemi artin e poezisë, që prek ndjenjat, zbulon botën e brendshme dhe i jep zë emocioneve më të holla të njeriut. Në anën tjetër kemi një studim të veçantë pedagogjik që pasqyron një punë me vlera praktike dhe trajton me profesionalizëm teknikat e mësimdhënies”, thotë Afrim Dervishi nga Drejtoria Komunale për Kulturë, Rini dhe Sport.
“Sot, ta shohësh atë si bashkëpunëtor në vepra pedagogjike të përkushtuara ndaj mjedisit është një ndjenjë krenarie”, thotë Bajram Vrapçani, recensent.
Ky interesim mbetet shtysa kryesore që autorët të vazhdojnë më tej me përkushtim në krijimtarinë e tyre.
“Fëmijët janë një dhuratë e veçantë, për të cilët e kemi detyrim si mësimdhënës dhe si prindër t’ua bëjmë të dashur shkollën dhe librin, si dhe të lëmë trashëgimi dijen dhe edukimin”, thotë Sadbere Beçku-Biçku, autore e librit.
“Ne ndihemi më së miri kur botojmë një libër, qoftë edhe të vogël. Edhe ne kemi gabime, edhe ne jemi njerëz si gjithë të tjerët, por gabimi më i madh është të mos shkruash e të mos lexosh kurrë”, shton ajo.
Ky promovim la pas një mesazh të qartë: dëshmia më e bukur e një vepre është kur libri vazhdon t’i bashkojë njerëzit, të ndërtojë ura mirëkuptimi dhe të lërë gjurmë që koha nuk i zbeh.























