Mustafa: "Në Lagje" e çon artin pranë shtëpive të qytetarëve
BKT
Kulturë

Mustafa: "Në Lagje" e çon artin pranë shtëpive të qytetarëve

K. K. / RTKlive

Drejtori për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Isah Mustafa tha se projekti më i ri "Në Lagje", nis gjatë muajit gusht dhe do të sjellë koncerte e aktivitete kulturore në lagje të ndryshme të Prishtinës, si Dardania, Muharrem Fejza, Bregu i Diellit, Kolovica, Hajvalia, Matiqani dhe lagje të tjera.

Në emisionin "Mirëmëngjesi Kosovë" në RTK, ai bëri me dije se koncertet do të organizohen gjatë ditëve të javës, në orët e mbrëmjes, ndërsa në muajt e dimrit projekti do të vazhdojë me aktivitete të tjera, si shfaqje teatrore, kinema, stand-up komedi, lexime letrare dhe programe për fëmijë.

Sipas tij, ky është një projekt pilot, por interesimi i madh i qytetarëve dhe artistëve ka treguar se iniciativa është pritur shumë mirë dhe synohet të zgjerohet edhe në fshatrat e Prishtinës.

Mustafa tha se Drejtoria e Kulturës po mbështet gjithashtu festivalet dhe organizimet e pavarura kulturore, përmes subvencioneve dhe bashkëpunimit institucional, ndërsa përmendi edhe festivalin Meeting of Styles, i cili këtë vit do të zhvillohet në zonën pranë stacionit të trenit, ku do të realizohen murale të reja.

Një nga objektivat afatmesme të Drejtorisë, sipas tij, është krijimi i amfiteatrove të hapura në lagje, për t'u ofruar artistëve dhe komunitetit hapësira të përhershme për aktivitete kulturore.

Ai njoftoi gjithashtu se po punohet për zgjerimin e programeve në institucionet kulturore të komunës, përfshirë Teatrin "Dodona", Bibliotekën "Hivzi Sulejmani" dhe Qendrën Kulturore, me synim rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe të rinjve, në jetën kulturore të kryeqytetit.


MË SHUME NGA Kulturë