Etno Fest solli tjetër natë të mbushur me traditë, teatër, vallëzim, muzikë
BKT
Kulturë

Etno Fest solli tjetër natë të mbushur me traditë, teatër, vallëzim, muzikë

K. K. / RTKlive

Edicioni i sivjetmë i Etno Fest vazhdoi me një tjetër mbrëmje të pasur artistike, ku tradita dhe arti bashkëkohor u ndërthurën në një program që ofroi përvoja të ndryshme kulturore për publikun.

Sipas njoftimit, mbrëmja u hap me performancën e Ansamblit “Devolli” nga Korça, i cili solli në skenë këngë, valle dhe motive autentike folklorike, duke përcjellë trashëgiminë kulturore të trevave të Korçës dhe Devollit.

"Nga magjia e valles dhe këngës popullore, vëmendja e mbrëmjes u zhvendos drejt Etno Teatrit me shfaqjen 'Lahuta e Malcís' nga Armend Baloku. Kjo shfaqje mbështetet në eposin monumental të Gjergj Fishtës, kryeveprën e letërsisë shqipe që lartëson shpirtin, dinjitetin, trimërinë dhe identitetin kombëtar. Publiku u bë pjesë e një përjetimi të jashtëzakonshëm artistik duke ndjekur shfaqjen, një realizim skenik me peshë të madhe emocionale dhe estetike", thuhet në njoftimin e Etno Fest-it.

Një tjetër dimension artistik solli shfaqja “VOID” e Albanian Dance Theater Company nga Tirana. Me muzikë të kompozuar nga Petrit Jakupi dhe interpretimin e Katerina Gogës dhe Chiara Xoxit, shfaqja eksploroi përmes vallëzimit bashkëkohor konceptin e “boshllëkut”, duke krijuar një dialog mes lëvizjes, muzikës dhe emocioneve.

Atmosfera mori ritëm të ri me performancën e Grupit “NA”, i cili ndërthurte tingujt rock me elemente të muzikës tradicionale shqiptare. Energjia e grupit dhe interpretimi i tyre dinamik mbajtën publikun të angazhuar gjatë gjithë koncertit.

Mbrëmja u përmbyll nga DJ Caboo, i cili me një set energjik e shndërroi fundin e natës në një festë të vërtetë, duke mbajtur publikun në këmbë deri në orët e para të mëngjesit.


MË SHUME NGA Kulturë