Ambasadori McGurk takohet me Bordin e RTK-së dhe drejtoreshën Zana Spahiu
B.H./RTKlive
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Gerard McGurk, ka zhvilluar takimin e parë zyrtar me Bordin e ri të Radiotelevizionit të Kosovës dhe drejtoreshën e përgjithshme, Zana Spahiu.
Takimi u fokusua në vizionin strategjik të transmetuesit publik, prioritetet për periudhën e ardhshme, si dhe proceset e reformimit dhe transformimit institucional.
Sipas një postimi në Facebook të Misionit të OSBE-së në Kosovë, gjatë takimit u rikonfirmua partneriteti ndërmjet OSBE-së dhe RTK-së në mbështetje të zhvillimit të mjedisit mediatik në Kosovë. Një ndër çështjet kryesore të diskutuara ishte sigurimi i qëndrueshmërisë financiare të RTK-së, si dhe nevoja për reforma organizative që do të kontribuojnë në forcimin e rolit të transmetuesit publik.
Ambasadori McGurk theksoi gatishmërinë e OSBE-së për të vazhduar mbështetjen ndaj RTK-së në përmbushjen e mandatit të saj publik, duke nënvizuar rëndësinë e përballjes me dezinformimin në rritje përmes forcimit të mekanizmave të brendshëm të verifikimit të fakteve.
Ai po ashtu u zotua se Misioni i OSBE-së do të kontribuojë në përpjekjet për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për sfidat me të cilat përballet RTK-ja, përfshirë edhe përmes mbështetjes për hartimin dhe miratimin e një Ligji të ri dhe modern për Radiotelevizionin e Kosovës.
Ndërkaq, drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, përmes një postimi në Facebook ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që OSBE-ja i ka dhënë transmetuesit publik që nga themelimi i tij.
“Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme që OSCE i ka dhënë RTK-së që nga themelimi i saj. Përgjatë gjithë këtyre viteve, OSCE ka qenë një partner i rëndësishëm në forcimin e transmetuesit publik, promovimin e standardeve profesionale dhe zhvillimin institucional”, ka shkruar Spahiu në Facebook, duke falënderuar ambasadorin McGurk dhe Misionin e OSBE-së për besimin, bashkëpunimin dhe gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen ndaj RTK-së.
Ajo ka theksuar se përmes këtij partneriteti do të vazhdojë puna për ndërtimin e një transmetuesi publik modern dhe profesional.
“Jam e bindur se, përmes këtij partneritetii, do të vazhdojmë të ndërtojmë një transmetues publik modern dhe profesional, në përputhje me standardet më të larta evropiane dhe në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka shtuar Spahiu.

























