Mungesa e pesë anëtarëve pamundëson mbajtjen e mbledhjes së KGJK-së
BKT
Lajme

Mungesa e pesë anëtarëve pamundëson mbajtjen e mbledhjes së KGJK-së

Sh.Ç/RTKlive

Mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) nuk është zhvilluar sot për shkak të mungesës së kuorumit, duke shtyrë edhe shqyrtimin e një prej pikave kryesore të rendit të ditës – trajtimin e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë të dorëzuara në fund të vitit 2022 dhe kërkesave të tyre të mëvonshme për tërheqjen e tyre.

Kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, bëri të ditur se katër anëtarë e kishin njoftuar paraprakisht përmes postës elektronike se nuk do të merrnin pjesë në mbledhje, ndërsa anëtarja Ivana Milenkoviq nuk kishte dhënë asnjë arsyetim për mungesën.

Sipas Thaqit, asnjëri nga anëtarët që munguan nuk kishte paraqitur kërkesë zyrtare për pushim, duke e cilësuar të papranueshme një sjellje të tillë. Për shkak të mungesës së numrit të nevojshëm të anëtarëve, mbledhja u anulua.

Çështja e dorëheqjeve është rikthyer në vëmendje pasi më shumë se një muaj më parë ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, i kërkoi KGJK-së që të merrte një vendim përfundimtar lidhur me statusin e gjyqtarëve serbë që kishin dhënë dorëheqje gjatë krizës në veri të Kosovës.

Pas dorëheqjeve të paraqitura në vitin 2022, një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve kërkuan të riktheheshin në sistem, duke dorëzuar kërkesa për tërheqjen e dorëheqjeve. Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk i pranoi këto kërkesa, ndërsa dorëheqjet e prokurorëve u konsideruan të vlefshme.


MË SHUME NGA Lajme