Spahiu: Studioja në Ulqin, simbol i bashkëpunimit mes transmetuesve publik
B.H./RTKlive
Është hapur studioja e re e përbashkët e tre transmetuesve publikë – Radiotelevizionit të Malit të Zi (RTCG), Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) – në Ulqin, me synim forcimin e bashkëpunimit dhe realizimin e përbashkët të përmbajtjeve mediale.
Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, si dhe drejtuesit e RTCG-së dhe RTSH-së.
Ajo tha se studioja në Ulqin përfaqëson më shumë se një hapësirë të re pune, duke e cilësuar atë si simbol të bashkëpunimit ndërmjet transmetuesve publik.
“Kjo studio është simbol i përkushtimit tonë të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet RTK-së, RTCG-së dhe RTSH-së, shkëmbimit të përvojave dhe avancimit të misionit të transmetuesve publik në rajonin tonë”, deklaroi Spahiu.
Ajo shtoi se ky projekt përfaqëson një urë lidhëse mes mediave publike, gazetarëve dhe komuniteteve, përmes informimit, kulturës, dialogut dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegu, e cilësoi hapjen e studios një hap të rëndësishëm për lidhjen e njerëzve, shteteve dhe mediave publike.
“Ulqini është qytet i takimit të kulturave, religjioneve dhe popujve. Për shkak të këtij karakteri, ky qytet është vendi natyror për një projekt që lidh njerëzit, shtetet dhe transmetuesit publik”, tha Nimanbegu.
Ai theksoi se studioja e re do të kontribuojë në promovimin e kulturës, traditës, bukurive dhe potencialeve të Ulqinit në rajon dhe më gjerë.
“Jam veçanërisht i kënaqur që kjo studio është rezultat i bashkëpunimit mes Radiotelevizionit të Malit të Zi, Radiotelevizionit të Kosovës dhe Radiotelevizionit Shqiptar. Jam i bindur se do të jetë një hapësirë e rëndësishme për punë të përbashkët dhe shkëmbim të përmbajtjeve programore”, u shpreh ai.
Anëtari i Këshillit të RTCG-së, Amar Shkreli, tha se hapja e studios së katërt të këtij televizioni përmbyll zgjerimin e rrjetit korrespondent të transmetuesit publik malazez në të gjithë territorin e vendit.
Sipas tij, rëndësia e veçantë e studios në Ulqin është fakti se ajo do të përdoret jo vetëm nga RTCG, por edhe nga RTK dhe RTSH.
“Ky është një shembull unik që këtë studio do ta përdorin Radiotelevizioni i Malit të Zi, Radiotelevizioni i Kosovës dhe Radiotelevizioni Shqiptar”, tha Shkrieli.
Hapja e studios në Ulqin shihet si një mundësi e re për realizimin e përmbajtjeve të përbashkëta mediale dhe promovimin e vlerave kulturore e shoqërore të rajonit.

























