BE për deklaratën e Vuçiqit për Ibrin: Nuk ndihmon normalizimin me Kosovën
BKT
Lajme

BE për deklaratën e Vuçiqit për Ibrin: Nuk ndihmon normalizimin me Kosovën

B.H./RTKlive

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Annita Hipper nuk ka dashur të komentojë direkt nëse deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër do të kenë pasoja në procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.

Megjithatë, ajo ka thënë se kjo deklaratë nuk i ndihmon normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Çështja u ngrit nga gazetari i Euronews, Luca Bertuzzi, gjatë konferencës për media të Komisionit Evropian, i cili pyeti zëdhënësen për çështje të jashtme, Annita Hipper, nëse një projekt i tillë, në rast se do të zbatohej, do të ndikonte në përpjekjen e Serbisë për anëtarësim në BE.

Hipper u përgjigj duke u fokusuar te deklaratat e bëra nga autoritetet serbe dhe ndikimi i tyre në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi.

“Do ta nis me çështjen kryesore që kemi përpara, që janë deklaratat e bëra. Dhe deklaratat, përfshirë ato për ndryshimet e mundshme të rrjedhës së lumit dhe veprimet, nuk e mbështesin këtë objektiv për të pasur një marrëdhënie normale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Hipper.

Ajo theksoi se normalizimi mund të arrihet vetëm përmes dialogut.

“Kjo mund të arrihet vetëm përmes dialogut. Gjithashtu, rikujtojmë se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që secila palë të përparojë në rrugën evropiane”, shtoi zëdhënësja e BE-së.

Më pas, Bertuzzi e pyeti nëse BE-ja do të mund të jepte një paralajmërim të ngjashëm ndaj Serbisë, sikurse kishte bërë më herët në rastin kur në Shqipëri shpërthyen protestat kundër një plani ndërtimi në Zvërnec, e kur thanë se nëse vazhdon ai projekt do të ketë pasoja për integrimin evropian. 

Hipper  tha se institucionet e BE-së nuk spekulojnë për procesin e anëtarësimit dhe se situatat e ndryshme nuk trajtohen domosdoshmërisht në të njëjtën mënyrë.

“Normalisht, ne nuk spekulojmë për procesin e anëtarësimit. Nuk është se, vetëm sepse themi diçka në një rast, duhet ta themi gjithmonë të njëjtën gjë. Situatat janë të ndryshme”, u tha në konferencë.

Zyrtarja e BE-së shtoi se Komisioni nuk do të hyjë në “meritat e dallimeve” ndërmjet rasteve dhe përsëriti se nuk do të spekulojë për procesin e anëtarësimit të Serbisë.

Deklaratat e BE-së vijnë pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke e lidhur këtë me qëndrimin e autoriteteve të Kosovës ndaj komunitetit serb.


MË SHUME NGA Lajme