Filmi “Me Fjalë Tjera” përzgjidhet në WIP Europa të San Sebastiánit
Sh.G|RTKlive
Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Me Fjalë Tjera”, me skenar dhe regji të Val Jasharit dhe producente Valmira Hysenit, është përzgjedhur në programin WIP Europa (Works in Progress), në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në San Sebastián.
Filmi do të prezantohet para profesionistëve të industrisë ndërkombëtare të filmit, përfshirë përfaqësues të festivaleve, distributorë, agjentë të shitjes dhe profesionistë të tjerë të fushës. “Me Fjalë Tjera” do të jetë gjithashtu në garë për çmimet e këtij programi.
Sipas njoftimit të Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK), filmi është produksion i WaveMaker Films, në bashkëprodhim me Live Production, ndërsa është mbështetur nga QKK-ja dhe Qendra e Filmit e Malit të Zi.
“Me Fjalë Tjera” aktualisht ndodhet në fazën e post-produksionit dhe pritet të përfundojë së shpejti.























