Ulutas: Optimizimi i KFOR-it si rezultat i përmirësimit të situatës në Kosovë
A.B|RTKLIve
Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, takoi Zlatan Elekun, kryetar i Listës Serbe, me kërkesë të këtij të fundit, në selinë e KFOR-it në “Camp Film City”.
Eleku shoqërohej nga Igor Simiq, nënkryetar i Listës Serbe, Jovana Radosavljeviq, anëtare e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, dhe Milan Radojeviq, kryetar i Mitrovicës së Veriut.
KFOR njofton se takimi ofroi mundësinë për shkëmbimin e pikëpamjeve për një sërë çështjesh, përfshirë situatën e sigurisë në veriun e Kosovës dhe zbatimin e vazhdueshëm të procesit të paralajmëruar për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it.
Komandanti i KFOR-it theksoi se procesi i optimizimit është nisur si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë. Ai përsëriti se ky proces do të zhvillohet gradualisht. Procesi bazohet në kushtet në terren dhe mund të rikthehet nëse zhvillimet përkatëse e bëjnë të nevojshme, në rast se ato ndikojnë në sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal.
"Ai shtoi se KFOR-i do të mbetet plotësisht i pajisur dhe i pozicionuar për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të rëndësishëm, në përputhje me mandatin e tij të kahershëm të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai theksoi se KFOR-i mbetet reaguesi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit, është i përkushtuar ndaj sigurisë së tij, si dhe se kalimi gradual i pranisë së KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë është në fazën fillestare", njofton KFOR.
Pasi ky proces të përfundojë, KFOR-i njofton se do të mbajë një prani të fuqishme në Mitrovicën e Veriut dhe në veriun e Kosovës, në të mirë të të gjitha komuniteteve.
KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij, të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe të lirisë së lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në kuadër të roleve të tyre përkatëse si reagues në fushën e sigurisë.























