I dyshuari për spiunazh ndalohet për 48 orë, i sekuestrohen 39 mijë e 500 euro
M.Sh/RTKLive
(E plotësuar 15:00) Fehim Sali, i arrestuar sot në pikën kufitare në Merdare nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”, është ndaluar për 48 orë me aktvendim të Prokurorisë Speciale.
Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, pas arrestimit, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë zbatuar urdhërkontrollin në vendbanimin e të dyshuarit në Dragash.
Gjatë bastisjes, sipas autoriteteve, janë gjetur dhe sekuestruar 39 mijë e 500 euro para të gatshme, 500 dinarë, katër telefona celularë, si dhe dokumente të ndryshme që konsiderohen relevante për rastin.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë kanë deklaruar se mbeten të angazhuara për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme ligjore lidhur me rastin.

I arrestuari për spiunazh bashkë me Daçiqin: Mustafa publikon foton
Filiz Mustafa, ish-kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Dragashit, ka publikuar një fotografi të Fehim Salit, i cili është arrestuar sot, së bashku me ministrin e Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq.
“Ky fotografim i bërë para disa vitesh ku janë bashkë Ivica Daçiq dhe i arrestuari i sotëm Fehim Sali”, ka shkruar Mustafa.
Ai ka vlerësuar veprimin e institucioneve të Kosovës lidhur me arrestimin e Salit, i dyshuar për spiunazh, duke thënë se sot “shteti dhe institucionet përkatëse vepruan”.
Në të njëjtën kohë, Mustafa ka kërkuar më shumë përgjegjësi nga politikanët lokal, që të mos bashkëpunojnë me persona që, sipas tij, dyshohet se i shërbejnë institucioneve të Serbisë.
Postimi i tij vjen në ditën kur Fehim Sali është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për spiunazh, ndërsa rrethanat dhe dyshimet që lidhen me rastin pritet të sqarohen nga institucionet e drejtësisë.
Ivica Daçiq aktualisht është ministër i Brendshëm i Serbisë dhe zëvendëskryeministër i këtij vendi.
RTK do të raportojë për zhvillimet e mëtejshme lidhur me rastin, bazuar në informacionet zyrtare të institucioneve kompetente.
Nën dyshimet për spiunazh arrestohet arsimtari Fehim Sali nga Dragashi
Fehim Sali është arrestuar nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit, në një operacion të përbashkët të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.
Fehim Sali dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të Inteligjencës (BIA) dhe se ka mbajtur kontakte me zyrtarin e saj, Zelimir Matoviq.
Ai punon si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit dhe më herët ka qenë i angazhuar në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes.
Po ashtu, dyshohet se merret me ndërmjetësimin për prona dhe dokumente serbe, ndërsa dyshohet se është angazhuar në grumbullimin e votave për mbështetësit e Aleksandar Vuçiqit.






















