Gjykata cakton një muaj paraburgim për tre të dyshuarit për trafikim me njerëz
BKT
Lajme

Gjykata cakton një muaj paraburgim për tre të dyshuarit për trafikim me njerëz

RTKLive

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve: E.B., M.C. dhe R.S. 

E.B. dyshohet për veprën penale të trafikimit me njerëz, ndërsa M.C. dhe R.S. për veprën penale të shfrytëzimit të shërbimeve seksuale nga viktimat e trafikimit, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve E.B., M.C. dhe R.S., duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, për secilin.

Gjykata, pas shqyrtimit dhe analizimit të kërkesës së Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, ka vlerësuar se në rastin konkret caktimi i kësaj mase është i nevojshëm dhe i përshtatshëm, pasi ekziston rreziku real që të pandehurit, nëse lihen në liri, të arratisen dhe t’i shmangen ndjekjes penale, duke pasur parasysh peshën dhe dënueshmërinë e lartë të veprave penale, si dhe mënyrën e kryerjes së tyre ndaj dy të dëmtuarave të mitura.

Po ashtu, Gjykata vlerëson se ekziston rreziku që të pandehurit të ndikojnë tek të dëmtuarat e mitura dhe në këtë mënyrë të pengojnë zhvillimin e papenguar të procedurës penale. Në këtë drejtim, janë marrë parasysh edhe rrethanat që lidhen me moshën e të pandehurve, përkatësisht 67 dhe 70 vjeç, si dhe natyra e veprimeve për të cilat dyshohen.

Gjithashtu, ekzistojnë rrethana konkrete që tregojnë rrezikun real dhe të arsyeshëm të përsëritjes së veprave penale, veçanërisht duke pasur parasysh se e pandehura E.B., duke keqpërdorur pozitën dhe autoritetin prindëror, dyshohet se ka ndërmarrë veprime të kundërligjshme, duke mundësuar shfrytëzimin seksual të të dëmtuarave të mitura - vajzave të saj, në këmbim të parave apo përfitimeve të tjera materiale.

"Gjykata konsideron se masa e paraburgimit është e domosdoshme për të parandaluar rrezikun e arratisjes, ndikimin tek të dëmtuarat dhe përsëritjen e veprave penale. Kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë", njofton Gjykata Themelore në Prishtinë.


MË SHUME NGA Lajme