28 Nëntori është shënuar edhe në qytetet shqiptare të Maqedonisë së Veriut /Video
Besnik Iseni / RTK-Shkup
Festa e Flamurit shqiptar, me disa aktivitete, u shënua edhe nga shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Në Tetovë, qindra nxënës dhe qytetarë, nën moton ?Flamuri na bashkon?, marshuan rrugëve të qytetit.
Në sheshin “Iliria”, nxënësit përcollën mesazhe festive përmes koreografive dhe programit artistik.
“28 Nëntori është histori, sakrificë, përgjegjësi dhe krenari për të ruajtur gjuhën, flamurin dhe identitetin tonë. Nga Skënderbeu te Ismail Qemali, brezat na kanë lënë amanet që ta ruajmë dhe ta duam atë që na bashkon”, ka thënë Bilall Kasami Kryetar i Komunës së Tetovës.
28 Nëntori, në atmosferë festive, u shënua edhe në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.
“Më 28 Nëntor, në vitin 2006, pas shumë përpjekjesh, pengesash e kundërshtimesh, në qendër të Shkupit vendosëm shtatoren e kryeheroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ata që i mbajnë mend rrethanat e asaj kohe, e dinë mirë se çfarë peshe kishte ai akt për shqiptarët”, ka thënë Izet Mexhiti Kryetar i Komunës së Çairit.
Festa e 28 Nëntorit u shënua edhe në Strugë, Kumanovë, Dibër, Çashkë, Krushevë e Manastir, ku shqiptarët festuan.
Nën ngjyrat kuqezi, me këngë dhe valle, Festa e Flamurit u shënua edhe në qytetet e tjera të banuara me shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.






















