25 raste të reja me fruth gjatë javës, kërkohet intensifikim i vaksinimit
BKT
Lajme

25 raste të reja me fruth gjatë javës, kërkohet intensifikim i vaksinimit

M.Sh/RTKLive

Në Kosovë janë konfirmuar 25 raste të reja me fruth gjatë javës së fundit, duke e çuar në 137 numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara që nga 16 prilli.

Të dhënat janë bërë publike nga Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale (IEJL-PShS), i cili po e përcjell situatën epidemiologjike, duke iu referuar të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK).

Sipas IEJL-PShS-së, më 3 gusht në Kosovë ishin raportuar 99 raste me fruth. Kjo nënkupton se numri i rasteve është rritur për 38, apo rreth 38 për qind, brenda dy javësh.

Instituti ka vlerësuar pozitivisht intensifikimin e aktiviteteve të vaksinimit nga IKShPK-ja, institucionet shëndetësore dhe ekipet komunale të vaksinimit.

Sipas të dhënave të IKShPK-së, vetëm gjatë javës së fundit, në komunat me numrin më të lartë të rasteve janë vaksinuar me vaksinën MMR 276 fëmijë që kishin vonesa në vaksinim sipas kalendarit të rregullt.

IEJL-PShS ka bërë thirrje për forcimin e mëtejshëm të vaksinimit rutinor, identifikimin në kohë të fëmijëve që kanë doza të humbura ose të vonuara dhe sigurimin e vaksinimit të tyre.

Sipas institutit, mbulueshmëria me vaksinën MMR në vitin 2019 ishte 95 për qind, ndërsa ka rënë në 89 për qind në vitin 2024 dhe në 82 për qind në vitin 2025.

Edhe mbulueshmëria me dozën e tretë të vaksinës kundër difterisë, tetanozit dhe pertusisit (DTP3) ka shënuar rënie. Nga 95 për qind në vitin 2019, ajo ka zbritur në 90 për qind në vitin 2025.

IEJL-PShS vlerëson se për parandalimin e shpërthimeve dhe ndërprerjen e transmetimit të fruthit nevojitet mbulueshmëri e lartë dhe e qëndrueshme prej së paku 95 për qind me të dyja dozat e vaksinës kundër fruthit.

Instituti ka kërkuar identifikimin dhe vaksinimin e fëmijëve që kanë humbur ose vonuar dozat, organizimin e aktiviteteve të synuara të vaksinimit në komunat me mbulueshmëri më të ulët dhe numër më të madh të rasteve, si dhe forcimin e rolit të ekipeve të mjekësisë familjare.

Po ashtu, ka bërë thirrje për komunikim të vazhdueshëm me prindërit dhe kujdestarët dhe koordinim më të madh ndërmjet institucioneve, komunave, profesionistëve shëndetësorë dhe partnerëve relevantë.

IEJL-PShS u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe, në rast se ndonjë dozë mungon ose është vonuar, të kontaktojnë qendrën më të afërt të mjekësisë familjare.

Instituti ka rikujtuar gjithashtu se vaksina MMR nuk shkakton autizëm dhe se vaksinimi mbetet një nga mënyrat më të sigurta dhe efektive për mbrojtjen e fëmijëve dhe komunitetit nga sëmundjet e parandalueshme me vaksina.


MË SHUME NGA Lajme