Gjakovë, Policia shton kontrollet ndaj motoçiklistëve, shqiptohen 366 gjoba
BKT
Lajme

Gjakovë, Policia shton kontrollet ndaj motoçiklistëve, shqiptohen 366 gjoba

M.Sh/RTKLive

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, përmes Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor, ka intensifikuar masat për rritjen e sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimin e aksidenteve, me fokus të veçantë te drejtuesit e motoçikletave.

Që nga fillimi i sezonit veror, Njësia e Motoçikletave e Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë, në bashkëpunim me patrullat me automjete inteligjente, ka ndërmarrë kontrolle ndaj drejtuesve që shkelin rregullat e trafikut.

Sipas Policisë, gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar 366 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik, ndërsa 101 motoçikleta janë sekuestruar.

Policia Rajonale e Gjakovës u ka bërë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik, veçanërisht drejtuesve të motoçikletave, që të respektojnë rregullat e komunikacionit, duke theksuar se respektimi i tyre është thelbësor për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.


MË SHUME NGA Lajme