Tahiri nga PDK: Vdekja e punëtorëve të KEK-ut në vendin e punës, dështim
BKT
Lajme

Tahiri nga PDK: Vdekja e punëtorëve të KEK-ut në vendin e punës, dështim

A.B/RTKLive

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri tha se ka mungesë reagimi dhe mbikëqyrjeje të kushteve të punës në institucionet dhe ndërmarrjet publike, pasi dy punëtorë të KEK-ut humbën jetën brenda tri ditësh, si pasojë e lëndimeve të marra në vendin e punës.

Tahiri, sot në një konferencë për media, duke kritikuar për dështim institucional, kërkoi që organet përgjegjëse të ndërmarrin veprime konkrete menjëherë.

“Më 20 gusht, Arbenit Ahmeti humbi jetën duke transportuar kabllot 6 kV. Më 16 gusht, vetëm katër ditë më herët, Haxhi Gojnovci, teknik i xehtarisë, mbeti i vdekur pranë ekskavatorit. Më 15 korrik, Milazim Binaku ndërroi jetë në QKUK, si pasojë e lëndimeve të marra më 8 korrik në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj. Më 27 shkurt, Migjen Sadiku ndërroi jetë në hapësirat e Termocentralit “Kosova B”, shtoi ai.

Tahiri tha se siguria e punëtorëve nuk garantohet me deklarata ngushëllimi, por duhet të garantohet me standarde të qarta, me inspektime të rregullta dhe të pavarura, me parandalim, me zbatim të ligjit dhe me llogaridhënie, para se dikush tjetër ta humb jetën.

“Në pamundësi që këto raste t’i ngremë në Kuvendin e Kosovës dhe në komisionet parlamentare, nga këtu i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës, Ministrisë përkatëse, Inspektoratit të Punës dhe vetë Korporatës Energjetike të Kosovës që të përkujdesen dhe t’i mbështesin financiarisht familjet e viktimave; të zhvillojnë menjëherë inspektime të plota dhe të pavarura; të identifikojnë dhe eliminojnë rreziqet në vendet e punës; të rrisin masat e sigurisë dhe mbrojtjes për punëtorët; dhe mbi të gjitha, të garantojnë që tragjedi të tilla të mos përsëriten”, tha ai.


MË SHUME NGA Lajme