Analistët: Narrativat serbo-ruse synojnë tensionimin e situatës në Kosovë
BKT
Lajme

Analistët: Narrativat serbo-ruse synojnë tensionimin e situatës në Kosovë

Arbresha Berisha|RTK

Në mediat serbe dhe ato ruse vazhdon të propagandohet për situatën në Kosovë. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, ditë më parë ka pretenduar se serbët që jetojnë në Kosovë po frikësohen, torturohen e largohen nga shtëpitë e tyre. Ndërsa, një lajm i publikuar së fundmi në portalin “Kosovo Online” ngre po ashtu të njëjtat pretendime. Por, përballë këtyre deklaratave, një vëzhgim në terren tregon se komuniteti serb vazhdon aktivitetet e përditshme, përfshirë punën, shkollimin dhe bizneset sikurse çdo komunitet tjetër. Njohës të sigurisë thonë se përmes narrativave të tilla serbo-ruse po synohet që të frikësohen serbët e Kosovës, në mënyrë që pastaj të njëjtit të përdoren për tensionim të situatës.

Ekipi i RTK-së qëndroi në Graçanicë, pikërisht në një nga vendet e banuara kryesisht nga komuniteti serb. Kamera jonë sot tregon realitetin në terren. Këtu qytetarët vazhdojnë jetën e tyre të përditshme. Punojnë, shkollohen, zhvillojnë aktivitetet e tyre normalisht, si në çdo pjesë tjetër të Kosovës. Nga jugu, në veri, një pamje e ngjashme shihet në çdo vend ku jetojnë komunitetet pakicë.

Në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, pavarësisht tensioneve politike të viteve të fundit, qytetarët vazhdojnë jetën e tyre të përditshme, bizneset janë të hapura, rrugët janë të frekuentuara dhe komunitetet vazhdojnë aktivitetet e tyre.

Por përtej asaj që shihet në terren, ekziston një betejë tjetër,  ajo për mënyrën se si po paraqitet realiteti i Kosovës.

"Serbia i jep zjarr çdo rasti që ka të bëjë me Policinë e Kosovës dhe përpiqet që, përmes të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, ta prezantojë Policinë e Kosovës, si të themi, si trup kundër serbëve. Kjo është e pasaktë dhe bëhet me qëllime të këqija", tha Dorajet Imeri, profesor, njohës i sigurisë.

Një nga artikujt e fundit të portalit “Kosovo Online” pretendon se serbët në Kosovë po përballen me një “përndjekje të heshtur”, duke përmendur qindra incidente gjatë viteve të fundit dhe duke akuzuar institucionet e Kosovës për mungesë reagimi.

Megjithatë,  ekspertët thonë se rendi dhe ligji mbizotëron në çdo cep të vendit dhe se çdo qytetar trajtohet në mënyrë të barabartë.

Sipas ekspertëve të sigurisë, çdo incident duhet të analizohet veçmas, e mos të përdoret për narrativa të cilat synojnë vetëm destabilizimin e situatës në Kosovë.

“Ne jemi të prirur dhe duhet t'i besojmë organeve tona të sigurisë siç është Inspektorati Policor i Kosovës, dhe pastaj është edhe organi i ndjekjes, dhe tek pastaj nëse ka nevojë është edhe organi i drejtësisë që quhet gjyq",  tha Arben Dashevci, njohës i sigurisë.

Tutje artikulli në "Kosovo Online" pretendon se ka pasur sulme ndaj pronave private dhe objekteve ortodokse, të shtëna me armë, sulme fizike, ndalime, kontrolle, ndalesa hyrjeje, e ndalime të punës për institucione serbe.

Por në realitet, sipas njohësve të fushës, ajo që ka ndodhur vitet e fundit në veri është një proces i shtrirjes së rendit juridik, në një zonë ku për një kohë të gjatë ka pasur struktura paralele jashtë sistemit kushtetues. Vendosja e sundimit të ligjit nuk mund të interpretohet si diskriminim etnik.

“Propaganda agresive e Serbisë kundër Kosovës ka për qëllim mobilizimin e brendshëm, duke përdorur narrativa nxitëse dhe duke synuar ruajtjen e kontrollit mbi komunitetin serb", tha Arben Fetoshi, drejtor i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”.

Përkundër propagandës serbo-ruse, institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë hapa për integrimin e komunitetit serb, për përfshirjen e tyre në sistemet publike, në administratë, siguri dhe shërbime.

Analistët në vend rikujtojnë se komunitetet joshumicë gëzojnë edhe përfaqësimin politik, kanë vendet e rezervuara në Kuvend, mund të përdorin gjuhën e tyre si dhe ka mekanizma të veçantë për mbrojtjen e identitetit kulturor. Po ashtu  janë përkrahur përmes programeve të ndryshme nga institucionet qendrore si investime në indrastrukturë, projekte ekonomike, programe për punësim, e projekte të tjera.

Andaj, ekspertët vlerësojnë se narrativat serbo-ruse për një krizë në Kosovë, shtojnë pasigurinë dhe frikën të komuniteti serbë si dhe nxisin tensione të reja në vend.

 


MË SHUME NGA Lajme