Dibrani në Izrael, fokus siguria dhe avancimi i shërbimit korrektues
BKT
Lajme

Dibrani në Izrael, fokus siguria dhe avancimi i shërbimit korrektues

B. H. | RTKlive

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, po qëndron në një vizitë zyrtare në Izrael, ku së bashku me delegacionin e SHKK-së po zhvillon takime me drejtues të institucioneve korrektuese dhe të sigurisë.

Vizita po realizohet me mbështetjen e Ambasadës së Shtetit të Izraelit në Kosovë dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem, me synim shkëmbimin e përvojave dhe praktikave profesionale në fushën korrektuese.

Në kuadër të agjendës, sipas njoftimit nga SHKK, delegacioni i këtij institucioni ka vizituar Selinë Qendrore të Shërbimit të Burgjeve të Izraelit në Ramla, ku Dibrani është takuar me Drejtorin e Përgjithshëm të këtij shërbimi, Kobi Yakobi, si dhe me përfaqësues të Ministrisë së Sigurisë Kombëtare të Izraelit.

Delegacioni pritet të vizitojë edhe Kompleksin Ayalon/Nitzan, të zhvillojë takime me drejtues të Departamentit të Punës Sociale në Qendrën e Paraburgimit Nitzan, si dhe të njoftohet nga afër me punën e fabrikës së Burgut Ayalon dhe njësisë qendrore YAMAZ.

"Fokusi i vizitës është forcimi i sigurisë në institucionet korrektuese, shkëmbimi i përvojave në menaxhimin e sigurisë dhe avancimi i kapaciteteve të Njësisë së Inteligjencës Korrektuese. Po ashtu, vëmendje i kushtohet programeve të risocializimit dhe rehabilitimit të të burgosurve, si dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional", thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se shërbimi Korrektues i Kosovës synon që përvojat dhe praktikat e avancuara të institucioneve korrektuese izraelite t’i shfrytëzojë për avancimin e standardeve në fushën e sigurisë, inteligjencës korrektuese, menaxhimit dhe rehabilitimit.


MË SHUME NGA Lajme