Udhërrëfyesit turistikë pa licencë ndëshkohen me gjobë
Sh.G|RTKlive
Ministria e Kulturës, Turizmit ka bërë të ditur se udhërrëfyesit turistikë në Kosovë duhet të jenë të licencuar për të ushtruar veprimtarinë e tyre.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut po zhvillon inspektime në terren për të verifikuar nëse veprimtaria e udhërrëfyesve turistikë po ushtrohet në përputhje me kërkesat ligjore.
Sipas njoftimit të Ministrisë, rastet e ushtrimit të kësaj veprimtarie pa licencë po ndëshkohen me gjobë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ministria u ka bërë thirrje të gjithë personave që aktualisht ushtrojnë këtë veprimtari pa licencë që të kryejnë procesin e licencimit dhe të vazhdojnë punën në mënyrë të rregullt dhe profesionale.
Në njoftim theksohet se një sektor i zhvilluar i turizmit kërkon rregulla të qarta, zbatim të ligjit dhe shërbime cilësore për vizitorët.
Licencimi, sipas Ministrisë, është detyrim ligjor dhe njëkohësisht garanci për një turizëm më profesional në Kosovë.























