Fetoshi: Nderimi i Mlladiqit, vazhdim i politikës së Millosheviqit
BKT
Lajme

Fetoshi: Nderimi i Mlladiqit, vazhdim i politikës së Millosheviqit

A.B/RTKLive

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka reaguar ndaj njoftimeve nga autoritetet në Beograd se Ratko Mlladiq do të varroset me nderimet më të larta shtetërore e ushtarake, duke e vlerësuar si tregues për vazhdimësinë e politikës së Millosheviqit dhe kërcënim për sigurinë e rajonit.

"Një “gjeneral” serb, i dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës (ICTY) për "gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte", edhe për së vdekuri e kërcënon sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Përbindëshi Ratko Mlladiq po nderohet në Republikën Serbe, ndërsa Bosnja ende vajton për fëmijët, gratë e burrat e kasaphanës së tij. Ndërkaq, në Serbi paralajmërohet ceremoni shtetërore varrimi, si mesazh strategjik për Kosovën dhe komunitetin euro-atlantik", ka shkruar ai në "Facebook".

Sipas tij, përtej zërave të “mekur” civilë e humanitarë, glorifikimi shtetëror i Mlladiqit e konfirmon vazhdimësinë e politikës së Millosheviqit, të kamufluar me konceptin e “Botës Serbe”.

"S’ka rëndësi a e shkel ligjin, siç vë në dukje Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, a është “skandal e turp” siç reagon Akademia për Zhvillim Demokratik në Novi Sad, apo pasojat eventuale në rrugën drejt BE-së, për sa kohë “nderimi” mbulohet me strategjinë e mohimit dhe “legjitimon” ideologjinë e “Serbisë së Madhe”. Vuçiq mund të kujdeset që ta “zbusë” njoftimin e ministrit të tij, Nenad Vujiq, por nuk mund ta fshehë të vërtetën e kërcënimit, të mbështejellë me “viktimizim”. Varrimi me “dinjitet” i Mlladiqit nuk është distancim ndaj gjenocidit dhe spastrimit etnik, është vetëm lojë fjalësh që kërcënon rajonin me fabrikimin narrativ për Kosovën “represive”", ka shkruar Fetoshi.


MË SHUME NGA Lajme