Nis blerja e teksteve shkollore
BKT
Lajme

Nis blerja e teksteve shkollore

Qendresa Duraku/ RTK

Në ditët e fundit para fillimit të vitit të ri shkollor, libraritë e kryeqytetit janë mbushur me prindër që kanë nisur të sigurojnë tekstet për fëmijët e tyre.

Fluksi është shtuar veçanërisht pas ekzekutimit të subvencioneve nga Ministria e Arsimit. Megjithatë, jo të gjithë prindërit thonë se mjetet e pranuara kanë qenë të mjaftueshme për të blerë të gjitha tekstet.

"154 euro kanë kushtu gjithsej. Do të thotë 90 euro i ka qit Qeveria. I kemi dy fëmijë të klasës së tretë dhe të klasës së shtatë. Mirëpo librat gjithsej janë bërë kaq. Ndoshta i qesin edhe për fëmiun tjetër nuk e di", tha Driton Jashari, prind

Për disa prindër, blerja e teksteve ende nuk ka përfunduar, edhe pse mjetet e pranuara kanë qenë të mjaftueshme. Ata thonë se disa prej librave që u mungojnë duhet t’i kërkojnë në librari të tjera.

"Lidhur me mjetet ishin në rregull, mirëpo 4 libra nuk i mora sepse vetëm janë të prodhuara e kështu nuk hyjnë në përdorim asnjëherë, Edukata Fizike shembull".

Sipas librarisë, prindërit që kanë blerë tekstet para përcaktimit të çmimeve zyrtare do të rimbursohen për diferencën.

“Në momentin që Ministria e Arsimit ka dal me çmimet zyrtare, ne i kemi ndryshuar ato çmime. Të gjithë ata klienta që kanë blerë me çmime ditët e më parshme do të bëjmë rimbursim ditët në vazhdim”, tha Klarita Demiri, menaxhere e shitjes në librarinë "Dukagjini" .

Ministria e Arsimit ka miratuar Katalogun e Teksteve Shkollore për vitin shkollor 2026/2027, ku janë përcaktuar çmimet finale të shitjes për secilin tekst.

Sipas Ministrisë, çmimet janë përcaktuar pas negociatave me shtëpitë botuese dhe janë të  detyrueshme për të gjitha pikat e shitjes.

Për nxënësit që mësojnë në gjuhën shqipe, subvencionimi përcaktohet në varësi të klasës. 60 euro për klasat e para dhe të dyta; 65 euro për klasën e tretë; 70 euro për klasën e katërt; 80 euro për klasën e pestë; 90 euro për klasat e gjashta dhe të shtata; 100 euro për klasat e teta dhe të nënta.

Ministria u ka bërë thirrje prindërve që gjatë blerjes të kontrollojnë nëse çmimet në librari përputhen me ato të Katalogut zyrtar.

Ndërkohë, Inspektorati i Arsimit ka nisur monitorimin e pikave të shitjes, me qëllim verifikimin e respektimit të çmimeve të përcaktuara.


MË SHUME NGA Lajme