Familja e Triumf Rizës kërkon përgjegjësi |Video
Kaltrina Rexhepi / RTK
Kanë kaluar 19 vjet nga vrasja e ish-policit Triumf Riza, por familja e tij ende kërkon drejtësi dhe përgjegjësi institucionale për trajtimin e rastit. Enver Sekiraqa, i dënuar me 25 vjet burgim për nxitje në vrasjen e Rizës, u lejua të mbrohej në liri gjatë procedurës në Apel dhe më pas u arratis nga Kosova. Pavarësisht vendimit për kthimin e tij në paraburgim, institucionet e drejtësisë ende nuk kanë arritur ta lokalizojnë. Rasti vazhdon të ngrejë pikëpyetje për vendimmarrjen e gjyqësorit dhe llogaridhënien institucionale.
Kanë kaluar 19 vjet nga vrasja e Triumf Rizës, por për familjen e tij, drejtësia ende nuk është përmbushur.
Në përvjetorin e vrasjes së të birit, Shefqet Riza vazhdoi të kërkojë përgjegjësi për mënyrën se si është trajtuar rasti.
“Shumë e çuditshme që këndej dënohet 25 vjet kryekrimineli për vrasjen, e katër ditë përpara e lëshon në liri, ia mundëson me ikë”, ka thënë Riza.
Triumf Riza u vra më 30 gusht 2007, në krye të detyrës. Për vrasjen e tij, Arben Berisha u dënua me 30 vjet burgim, ndërsa Enver Sekiraqa me 25 vjet, në maj të vitit 2024. Por vendimi për Sekiraqën u shoqërua me një tjetër zhvillim.
Kryetari i trupit gjykues, Agim Kuçi, vendosi që Sekiraqa të mbrohej në liri gjatë procedurës në Apel.
Kur Gjykata e Apelit vendosi kthimin e tij në paraburgim, Sekiraqa tashmë ishte i paarritshëm për organet e drejtësisë.
Pas më shumë se një dekade proces gjyqësor dhe 19 vjetësh nga vrasja e Triumf Rizës, rasti ende nuk ka marrë epilog përfundimtar.
“Ne e kemi parasysh se secili gjyqtar, secili trup gjykues, e ka në diskrecionin e tyre nëse do të caktojë apo ka caktuar një masë të caktuar të paraburgimit ose jo. Por në rastin konkret ka qenë haptazi mundësia për t’u shqiptuar masa e paraburgimit, sepse ka qenë një person me një histori që i është shmangur drejtësisë. E dyta, ka qenë një dënim konsiderueshëm i ashpër prej 25 vitesh. Fatkeqësisht, sistemi gjyqësor është dashur t’i mbajë llogaridhënës akterët që kanë vendosur në këtë rast, por KGJK-ja nuk e ka bërë këtë gjë”, ka thënë Gzim Shala, nga IKD.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës e kishte gjetur përgjegjës për shkelje disiplinore gjyqtarin Agim Kuçi, i cili ia kishte ndërprerë masën e arrestit shtëpiak të Enver Sekiraqës. Për këtë, Kuçit iu shqiptua vërejtje publike me shkrim dhe iu ul paga për 20 për qind për gjashtë muaj.
Por çfarë parashikon ligji për raste të tilla?
“Kodi i Procedurës Penale e ka hequr kufizimin që ka qenë për dënime mbi pesë vjet që të jetë paraburgimi i detyrueshëm. Në rastet kur gjykata urdhëron zëvendësimin e masës së paraburgimit, do të duhej të shoqërohej me dorëzanë, sepse do të ishte një rrezikim i humbjes së tërë pasurisë.
Ideja është se secili i pandehur që e lë tërë pasurinë në dorëzanë, edhe nëse ikën, shteti në parim nuk ka humbje, përveç vështirësive, sepse kur ka të bëjë me vepra të rënda, atëherë në çdo kohë mund të kërkohet gjetja dhe kthimi para organeve të drejtësisë, por në të njëjtën kohë konfiskohet e tërë pasuria”, ka thënë avokati Flamur Kabashi.
Kanë kaluar mbi 2 vjet që kur Enver Sekiraqa u arratis nga Kosova, pavarësisht dënimit prej 25 vjetësh burgim për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza.
Që nga maji i vitit 2024, institucionet e zbatimit të ligjit nuk kanë arritur ta lokalizojnë apo ta arrestojnë Sekiraqën, ndërsa vendndodhja e tij mbetet e panjohur.























