Hapa të rinj drejt funksionalizimit të Shoqatës Alumni UP
A.B/RTKLive
Në ambientet e Zyrës Alumni UP, është mbajtur takimi i përfaqësuesve të të diplomuarve të Universitetit të Prishtinës nga njësitë akademike të UP-së, me qëllim të avancimit të procesit të funksionalizimit të Shoqatës Alumni UP (AUP).
Në takim morën pjesë 11 përfaqësues të të diplomuarve, ndërsa diskutimi u përqendrua në hapat e nevojshëm për funksionalizimin e shoqatës, rishikimin e statutit, organizimin e strukturave të saj dhe zgjedhjen e bordit ekzekutiv. Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu për rolin që Alumni UP duhet të ketë në krijimin dhe forcimin e një komuniteti aktiv të të diplomuarve, si dhe në ruajtjen e lidhjes së tyre me Universitetin e Prishtinës.
Në kuadër të procesit të rifunksionalizimit, Gjylbehare Llapi, ish-drejtuese e Shoqatës Alumni UP, ka bërë dorëzimin e dokumentacionit dhe materialeve të shoqatës së themeluar në kuadër të Transformational Leadership Program (TLP), me mbështetjen e USAID-it. Ky proces mundëson vazhdimësinë institucionale dhe krijon bazën për riorganizimin dhe fuqizimin e mëtejmë të Alumni UP.
Zyra Alumni UP do të vazhdojë veprimtarinë nën ombrellën institucionale të Universitetit të Prishtinës, ashtu siç ishte paraparë që nga themelimi i saj, duke synuar krijimin e një ure të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet universitetit dhe të diplomuarve të tij.
"Takimi i radhës i përfaqësuesve do të mbahet më 8 shtator 2026, ku do të vazhdohet me rishikimin dhe finalizimin e çështjeve organizative, si dhe me planifikimin e punës, prioriteteve dhe misionit të Shoqatës Alumni UP. Me këtë rast, Universiteti i Prishtinës fton të gjithë të diplomuarit e tij, të cilët ende nuk janë regjistruar në databazën Alumni UP, që të regjistrohen përmes platformës https://ekarriera.uni-pr.edu/register/", njofton UP.























