Tradita e Malësisë shpaloset përmes pikturave të Arlinda Dushajt
Lumira Kelmendi / RTK
Piktura të cilat ndërthurin në mënyrë të veçantë traditën dhe identitetin kombëtar me stilin bashkëkohor, e karakterizojnë veprën e piktores Arlinda Dushaj nga Tuzi, e cila erdhi para publikut në Kosovë me ekspozitën “Malet e nalta m’shtrënguan fort, m’dhanë frymë e m’dhanë besë”. Arti i saj përqendrohet te identiteti, kujtesa historike dhe tradita e Malësisë.
Një mënyrë personale për të parë Malësinë, Arlinda e sjell përmes pikturës, duke përcjellë dashurinë për vendin, lidhjen me rrënjët dhe kujtesën që kalon nga një brez te tjetri.
Piktorja Arlinda Dushaj u shpreh se ndjehet shumë e lumtur që prezantohet me ekspozitë personale në Prishtinë.
“Duke qenë se vij nga Malësia, për mua ka qenë një obligim për vendin dhe një pikëpyetje për identitetin tim dhe përmes pikturave e kam treguar gërshetimin ndërmjet kulturës, traditës dhe kujtesës” theksoi artistja.
Ekspozita personale "Malet e nalta m’shtrënguan fort" e artistes Arlinda Dushaj që është hapur në Flori Gallery në Prishtinë, është organizuar nga Ambasada e Malit të Zi në Kosovë.
Ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj tha se kjo ekspozitë vjen në kuadër të shënimit e 20 vjetorit të ripërtërirjes së Pavarësisë së Malit të Zi.
“Arlinda Dushaj sjellë motive që përkujtojnë fazën e parë të krijimtarisë të mjeshtrit të madh Gjelosh Gjokaj dhe shpresoj që Arlinda të vazhdoj këtë rrugëtim”, tha ai.
Ndërthurja ndërmjet figurës, simbolit dhe shtresave të ngjyrës, sjellin në sipërfaqe emocione dhe përvoja që shpesh mbeten të padukshme. Përmes pikturës artistja eksploron marrëdhënien mes kujtesës dhe harresës, reales dhe imagjinares, si dhe identitetit personal e kolektiv.
Kuratorja e ekspozitës Nela Gligoreviq, tha se ajo që e tërhoqi kur u njoh për herë të parë me veprën e Arlindës, ishte paleta e saj monokromatike, duke shtuar se kjo nuk ishte thjesht një zgjedhje formale, por një pjesë thelbësore e gjuhës së saj pamore, përmes së cilës ajo flet për komunitetin, trashëgiminë dhe vlerat.
“Si dikush i lindur në Podgoricë, ky proces më bëri të ndërgjegjësohem se sa pak dimë ndonjëherë për njëri-tjetrin, pavarësisht se ndajmë të njëjtin rajon, histori dhe përvojë kulturore” u shpreh kuratorja.
Artistja Dushaj ka përfunduar studimet e larta për pikturë dhe grafikë, si dhe është e specializuar në dizajnin e komunikimit vizual. Ka marrë pjesë në ekspozita dhe projekte artistike në vende të ndryshme. Në vitin 2025 u përzgjodh ndër dhjetë artistët shqiptarë për Çmimin “Idromeno” dhe u bë anëtare e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Malit të Zi.

























