`Kalimera Poetike` nderon Rexhep Qosjen dhe sjell dy mbrëmje autoriale në Ulqin
BKT
Kulturë

`Kalimera Poetike` nderon Rexhep Qosjen dhe sjell dy mbrëmje autoriale në Ulqin

Sh.Ç/RTKlive

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në Ulqin organizon më 11–13 shtator 2026 edicionin e 34-t të manifestimit letrar “Kalimera Poetike ‘Basri Çapriqi’”, një prej veprimtarive më të rëndësishme letrare dhe kulturore të shqiptarëve në Malin e Zi.

Edicioni i sivjetshëm do t’i kushtohet kujtesës dhe krijimtarisë së shkrimtarit e studiuesit Rexhep Qosja, përmes një mbrëmjeje letrare homazh, ndërsa programi do të plotësohet me dy mbrëmje autoriale me shkrimtaren dhe studiuesen e letërsisë Anila Mullahi-Elezi dhe shkrimtarin e studiuesin Gëzim Aliu.

“Kalimera Poetike” është tashmë një nga ngjarjet më të konsoliduara të jetës letrare dhe kulturore të Ulqinit. Përmes traditës së saj shumëvjeçare, manifestimi ka krijuar një identitet të veçantë në skenën e festivaleve letrare në hapësirën shqipfolëse dhe në Malin e Zi.

Për organizatorët, rëndësia e manifestimit shkon përtej promovimit të letërsisë. “Kalimera Poetike” synon të kontribuojë në ruajtjen dhe afirmimin e gjuhës shqipe, veçanërisht në një mjedis ku përdorimi dhe zhvillimi i saj përballen me sfida të vazhdueshme.

Një veçori e edicionit të 34-t do të jetë zhvillimi i aktiviteteve në tri hapësira të ndryshme të komunës së Ulqinit: Muzeun e Ulqinit në Kala, Librarinë “Ulqini” dhe Restorantin “Shasi”.

Përmes kësaj qasjeje, organizatorët synojnë që letërsinë ta ndërthurin me trashëgiminë historike e kulturore të Ulqinit, duke promovuar njëkohësisht potencialet turistike të qytetit.

Edicioni XXXIV i “Kalimerës Poetike ‘Basri Çapriqi’” pritet të mbledhë në Ulqin krijues, studiues dhe dashamirës të letërsisë, duke vijuar kështu traditën e një manifestimi që prej vitesh i jep qytetit një rol të rëndësishëm në jetën kulturore shqiptare.


MË SHUME NGA Kulturë