PriFest nis sonte, Berisha: Kosova është bashkëprodhuese në gjithë filmat garues
BKT
Kulturë

PriFest nis sonte, Berisha: Kosova është bashkëprodhuese në gjithë filmat garues

K. K. / RTKlive

Festivali Ndërkombëtar i Filmit PriFest nis sonte edicionin e 18-të, duke sjellë në Prishtinë një program të pasur filmik, mysafirë ndërkombëtarë dhe një sërë aktivitetesh që synojnë zhvillimin e industrisë së filmit në Kosovë.

Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, drejtori i PriFest-it, Fatos Berisha, tha se edicioni i sivjetmë është i veçantë jo vetëm për shkak të 18-vjetorit, por edhe për përmbajtjen e programit.

“Është edicion jo vetëm se është i 18-ti, por është i veçantë edhe për përmbajtjen”, tha Berisha, duke theksuar se festivali këtë vit sjell filma të suksesshëm ndërkombëtarisht dhe një program të gjerë për publikun dhe profesionistët e industrisë.

Një nga veçantitë e këtij edicioni, sipas tij, është përfshirja e Kosovës në bashkëprodhimin e të gjithë filmave të metrazhit të gjatë në kategorinë kryesore.

Berisha bëri me dije se nga gjashtë filmat e përzgjedhur në këtë kategori, pesë janë në garë, ndërsa një është projeksion special jashtë gare. Sipas tij, të gjashtë filmat kanë bashkëprodhim me Kosovën.

“Kosova është pjesëmarrëse, është bashkëprodhuese si shtet në të gjashtë filmat. Kjo s’ka ndodhur asnjëherë në këto 18 vjet”, u shpreh ai.

Festivali do të hapet me filmin “Dua” të Blerta Bashollit, ndërsa do të përmbyllet me “Shame and Money” të Visar Morines. Në program janë përfshirë edhe filma të tjerë si “Hana” e Ujkan Hysajt, “Gulizar” , “Otter” dhe “The River” nga Greqia, bashkëprodhim me Kosovën, ku luan edhe aktorja Ilire Vinca.

PriFest këtë vit sjell edhe një numër premierash ndërkombëtare. Në kategorinë e metrazhit të mesëm, Berisha veçoi faktin se tre filma nga Shqipëria do të kenë premierën botërore pikërisht në Prishtinë.

“Këtu është shumë interesante. Ata kanë përzgjedhur Prishtinën që të bëjnë premierat botërore edhe prej këtu të fillojnë rrugëtimin nëpër festivale”, tha ai.

Shfaqjet e filmave të shkurtër dhe të metrazhit të mesëm do të nisin nga ora 17:00 dhe hyrja për këto programe është falas. Ndërsa filmat e metrazhit të gjatë do të shfaqen nga ora 19:30, me biletë prej 5 eurosh.

Berisha theksoi se Zvicra është shteti në fokus këtë vit, ndërsa PriFest e sheh këtë si një mundësi të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit kinematografik mes Kosovës dhe Zvicrës.

Në kuadër të festivalit pritet të zyrtarizohet edhe marrëveshja e bashkëprodhimit filmik mes dy vendeve, e cila synon të lehtësojë realizimin e projekteve të përbashkëta.

“Zvicra është një shtet i pasur në kuptimin e buxheteve për filmin. Ne jemi të varfër në atë aspekt, kështu që lidhemi mirë”, tha Berisha.

Berisha foli edhe për Prishtina Forum, pjesën e festivalit të dedikuar industrisë së filmit.

Sipas tij, forumi është një prej programeve më të rëndësishme të PriFest-it, pasi aty zhvillohen trajnime, masterklasa, diskutime dhe gara për projekte filmike që ende janë në fazën e zhvillimit.

Ai theksoi se disa prej filmave të suksesshëm të Kosovës kanë kaluar më herët nëpër këtë forum.

Si shembull përmendi filmin “Gulizar”, bashkëprodhim Turqi-Kosovë, i cili kishte qenë fitues në garën “Best Pitch” të forumit disa vite më parë.

“Forumi ndihmon drejtpërdrejt zhvillimit të industrisë së filmit, pra komunitetit tonë”, tha Berisha.

Edicioni i 18-të i PriFest-it nis më 8 shtator dhe do të zgjasë deri më 13 shtator.

Përveç shfaqjeve filmike, gjatë gjithë javës do të ketë konferenca për shtyp, panele diskutimi, programe të industrisë dhe aktivitete shoqëruese. Hapësira para Kino Armata do të shërbejë gjithashtu për aktivitetet e festivalit dhe “after party”-t e mbrëmjeve.


MË SHUME NGA Kulturë