Prison Radio sjell artin, zërin dhe kujtesën në ish-Burgun e Prishtinës
BKT
Kulturë

Prison Radio sjell artin, zërin dhe kujtesën në ish-Burgun e Prishtinës

K. K. / RTKlive

Nga 10 deri më 13 shtator 2026 ish-Burgu i Prishtinës, i njohur edhe si Burgu i Idealit, do të shndërrohet në hapësirë të artit, zërit, radios dhe dialogut përmes “Prison Radio” - Festivalit Ndërkombëtar të Radios.

Për këtë festival, në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, folën Blertë Ismajli dhe Alban Beqiraj, pjesë e organizimit të festivalit dhe organizatës “Stralli”.

Sipas organizatorëve, “Prison Radio” organizohet nga “Stralli”, në bashkëpunim me disa partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë. Një prej partnerëve kryesorë është “Lumpen Station”, organizatë nga Zvicra që merret me radio të pavarur dhe artin zanor. Në organizim janë të përfshirë edhe “Molla e Kuqe”, aktive në hapësirën e ish-Burgut të Prishtinës, si dhe një kolektiv radiofonik nga Prizreni.

Në qendër të festivalit do të jetë një program radiofonik maratonë prej 72 orësh, që do të zhvillohet nga 10 deri më 13 shtator 2026. Festivali do të shtrihet në ish-Burgun e Prishtinës, i njohur edhe si Burgu i Idealit, si dhe në lokacione të tjera në Prishtinë.

Organizatorët shpjeguan se tema e burgut nuk do të trajtohet vetëm në kuptimin literal, por edhe në mënyrë metaforike, përmes kufizimeve që mund të shfaqen në jetën e individëve.

“Rolet gjinore mund të jenë një lloj burgu, pozita shoqërore mund të jetë një lloj burgu”, tha Blertë Ismajli, duke theksuar se këto tema do të trajtohen përmes intervistave, prezantimeve, performancave, fotografisë dhe formave të tjera artistike.

Programi do të sjellë edhe rrëfime të ish-të burgosurve politikë të Kosovës, në bashkëpunim me Oral History, si dhe përvoja nga vende të tjera. Një pjesë e intervistave do të zhvillohet drejtpërdrejt nga hapësirat e ish-burgut, ku publiku do të mund të jetë i pranishëm gjatë transmetimeve radiofonike.

Sipas organizatorëve, prania e publikut synon ta bëjë audiencën pjesë aktive të programit, pasi reagimet spontane të saj mund të bëhen pjesë e transmetimit.

Festivali synon, gjithashtu, ta eksplorojë marrëdhënien mes arkitekturës së ish-burgut dhe tingullit. Përveç ligjëratave, performancave dhe ekspozitave, programi përfshin masterklasa, dëgjime kolektive, koncerte, instalacione zanore, shfaqje live dhe aktivitete të tjera artistike.

Duke folur për rolin e radios në këtë festival, Alban Beqiraj tha se synimi është që radioja të mos trajtohet vetëm si një medium tradicional, por edhe si një formë skenike dhe artistike.

“Historikisht radio është identifikuar si medium modern, në krahasim me teatrin dhe operën. Teatri dhe opera e kanë atë drejtpërdrejtshmërinë ku njeriu shkon në një hapësirë të caktuar dhe përjeton. Kurse televizioni dhe radioja e kanë këtë aspektin e montazhit. Në rastin tonë, përveç transmetimit të materialit të drejtpërdrejtë, jemi munduar ta shohim edhe si formë teatrore ose si formë skenike”, theksoi Beqiraj.

Sipas tij, brenda hapësirës arkitektonike të ish-burgut do të instalohen ekspozita, do të mbahen ligjërata dhe dëgjime kolektive, duke krijuar një përvojë më të drejtpërdrejtë për audiencën.

Programi i festivalit është i hapur për publikun. Pjesëmarrësit mund t’i ndjekin ligjëratat, performancat, ekspozitat dhe aktivitetet e tjera, ndërsa për disa prej tyre, përfshirë masterklasat, shëtitjen dëgjimore dhe vrapimin komunitar, kërkohet regjistrim paraprak.

Përmes “Prison Radio”, ish-Burgu i Prishtinës synon të shndërrohet për disa ditë në një hapësirë ku kujtesa, historia, arti, zëri dhe komuniteti takohen, duke krijuar forma të reja dialogu, komunikimi dhe reflektimi.


MË SHUME NGA Kulturë