Kosova përcjell mesazh solidariteti e mirënjohjeje për popullin amerikan|VIDEO
Qendresa Duraku / RTK
Një flamur amerikan, qirinj dhe një tablo me emrat e 2 mijë e 977 viktimave rikthejnë kujtimet e një prej ditëve më të dhimbshme të shekullit 21. Kanë kaluar 25 vjet, por pamjet e Kullave Binjake, tymi mbi Nju-Jork dhe dhimbja e mijëra familjeve mbeten pjesë e kujtesës kolektive.
Për Kosovën, 11 Shtatori ka edhe një dimension të veçantë. Një popull që vetëm dy vjet më parë kishte dalë nga një luftë, me humbje të mëdha njerëzore dhe shkatërrime të shumta,shoqata”Miqtë e Amerikës” në Kosovë e sheh këtë përvjetor si një moment për të shprehur solidaritet me popullin amerikan, por edhe një shprehje mirënjohjeje.
"Veprimi jonë është një veprim që është dasht me bë. Mendoj dhe shpresoj që institucionet e vendit dhe shoqëria civile dhe të gjithë ata që kanë një rrespkt për SHBA-në le të veprojnë sot. Me një veprim me një flamur me një postim në rrejte sociale me një fjalë të mirë me një dëshirë për tejkalimin e kësaj krize e shkaktuar nga sulmi terrorist", tha Agim Rexhepi, nga shoqata ”Miqtë e Amerikës” në Kosovë.
Aktivitetit iu bashkua edhe shoqata “Çamëria” në Kosovë, duke shprehur mbështetjen për popullin amerikan dhe mirënjohjen për rolin e Shteteve të Bashkuara në historinë e Kosovës.
"Jemi në mbështetej të popullit amerikan që t'i kujtojmë viktima që ndodhën në 2001-tën. solidarizohemi komplet populli. Fal shtetit amerikan, ne sot jemi aty ku jemi që i patëm gjithmonë në krah, nga lirimi, formimi i shtetit. Ne gjithmonë jemi më popullin amerikan do të jemi dhe kemi qenë", tha Besim Dinolli, kryetari i Shoqatës "Çamëria" Kosovë.
Mesazhi i solidaritetit u përcoll edhe nga Ilir Mezelxhiu, një nga mbështetësit e këtij aktiviteti.
"Sot qëndrojmë së bashku me popullin amerikan për të kujtuar një prej ditëve më të errëta në histori, 11 shtatorin të 2001-tës. 25 vite pas kanë kaluar, por ne asnjëherë nuk do t'i harrojmë 2977 njerëz ta pafajshëm të humën jetët e tyre atë ditë", tha Ilir Mezelxhiu, mbështetës i aktivietetit.
Mes viktimave ishin edhe tre shqiptaro-amerikanë: Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj. Në nderim të tyre dhe të të gjitha viktimave, homazhe bënë edhe nxënës të shkollave dhe qytetarë të Prishtinës.























