Doruntina Kastrati hap ekspozitën personale në Göteborg
Sh.G|RTKlive
Artistja bashkëkohore nga Kosova, Doruntina Kastrati, po prezantohet për herë të parë në Suedi me ekspozitën personale “...why do you hold back?”, e cila është hapur në Röda Sten Konsthall në Göteborg.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ekspozita vjen pas prezantimeve të rëndësishme ndërkombëtare të artistes, përfshirë pjesëmarrjen në Bienalen e Venedikut dhe në Bienalen e Stambollit.
“...why do you hold back?” përmbledh kërkimet artistike të Kastratit gjatë viteve të fundit, me fokus te puna, trupi dhe përvojat e grave. Në qendër të ekspozitës janë edhe çështje që lidhen me historinë e industrisë së ëmbëlsirave dhe transformimet e tregut të punës në Kosovën e pasluftës.
Përmes praktikës së saj artistike, Kastrati trajton marrëdhëniet mes trupit, punës, ekonomisë dhe kujtesës shoqërore, duke sjellë në vëmendje përvoja individuale dhe kolektive të lidhura me ndryshimet shoqërore e ekonomike.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit e cilëson këtë prezantim si një tjetër hap të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare për Doruntina Kastratin, por edhe për artin bashkëkohor nga Kosova, i cili po gjen gjithnjë e më shumë hapësirë në institucione të rëndësishme kulturore dhe artistike në Evropë dhe më gjerë.
Ekspozita në Röda Sten Konsthall në Göteborg do të qëndrojë e hapur deri më 22 nëntor.























