Nesër, në Kongresin amerikan diskutohet siguria e sfidat në Ballkanin Perëndimor
BKT
Lajme

Nesër, në Kongresin amerikan diskutohet siguria e sfidat në Ballkanin Perëndimor

A.B/RTKlive

Nesër, Nënkomiteti për Evropën i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së do të mbajë dëgjimin “U.S. Policy and Regional Security Challenges in the Western Balkans”, ku do të dëshmojë Daniel J. Lawton, Zëvendësndihmës Sekretar në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Dëgjimi zhvillohet në një kohë të vëmendjes së shtuar të Kongresit ndaj zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, përfshirë çështjet që prekin drejtpërdrejt Kosovën dhe komunitetet shqiptare në rajon.

Gjatë vitit të fundit, Albanians for America ka punuar për ta forcuar këtë angazhim dhe për të siguruar që çështjet shqiptare të dëgjohen dhe të kuptohen nga politikëbërësit në Washington.

Në maj, kongresistët Keith Self (R-TX) dhe Suhas Subramanyam (D-VA) vizituan Kosovën dhe Luginën e Preshevës në kuadër të një vizite dypartiake të Kongresit, ku u takuan me përfaqësues politikë dhe të komunitetit dhe u njohën nga afër me çështjet e sigurisë rajonale dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Vëmendja e Kongresit është shoqëruar edhe me iniciativa konkrete legjislative, përfshirë paraqitjen nga kongresisti Self të Presheva Valley Discrimination Assessment Act, një projektligj që kërkon një vlerësim nga Qeveria e SHBA-së mbi trajtimin e pakicave etnike në Serbi.

Dëgjimi i nesërm paraqet një tjetër mundësi të rëndësishme që zhvillimet që prekin shqiptarët dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor të marrin vëmendje në Kongresin amerikan.

AFA do të vazhdojë të punojë me përfaqësues nga të dyja partitë për të forcuar marrëdhëniet në Kongres dhe për të siguruar që Kosova, të drejtat e shqiptarëve në rajon, siguria rajonale dhe integrimi euroatlantik të mbeten pjesë e diskutimeve të politikës amerikane.

 


MË SHUME NGA Lajme