Abdixhiku: Bekim Sejdiu tregoi dinjitet, keqardhje që sot nuk kemi president
BKT
Lajme

Abdixhiku: Bekim Sejdiu tregoi dinjitet, keqardhje që sot nuk kemi president

E.Hoti/RTKlive

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për President të Kosovës.

Abdixhiku ka vlerësuar se Sejdiu ka treguar dinjitet me vendimin e tij për t’u tërhequr nga gara, duke kritikuar njëkohësisht zhvillimet politike që, sipas tij, kanë çuar vendin drejt kaosit dhe bllokadës institucionale.

“Bekim Sejdiu tregoi dinjitet. Tërheqja e tij, përballë histerisë politike, dëshmon pikërisht pse një njeri me karakterin e tillë, do të ishte zgjedhja e duhur për President”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka shprehur keqardhje që Kosova aktualisht nuk ka President, duke thënë se në vend të një zgjidhjeje politike është krijuar një situatë bllokade dhe mundësia e zgjedhjeve të reja.

Kreu i LDK-së ka kritikuar edhe sulmet ndaj Sejdiut gjatë kësaj periudhe, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe të paprecedenta.

“Keqardhje edhe për Bekimin, që padrejtësisht u bë shënjestër e sulmeve të paprecedenta për mbytjen e karakterit të tij. Përbaltja e tij kishte të bënte më së paku me të.Urrejtja si mjet dhe inati personal si karakteristikë e pashpjegueshme e politikanëve të sotëm, janë bërë më të forta se përgjegjësia ndaj vendit. E rëndësishme t’i bëjmë dëm tjetrit.”, ka shkruar Abdixhiku.


MË SHUME NGA Lajme