Ndahet nga jeta Flora Brovina
B.H./RTKlive
Është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare Flora Brovina, mjeke pediatre, poete, humaniste dhe aktiviste në mbrojtje të të drejtave të grave dhe fëmijëve në Kosovë.
Gjatë luftës në Kosovë, Brovina ishte e angazhuar në ofrimin e ndihmës për civilët dhe viktimat e dhunës. Ajo themeloi dhe drejtoi Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, përmes së cilës u ofrua ndihmë mjekësore dhe psikologjike për viktimat e dhunës dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Në vitin 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s, ajo u arrestua nga autoritetet serbe dhe u dënua me 12 vjet burg, nën akuzën për “veprimtari terroriste”. Brovina u lirua më 1 nëntor 2000, pas presionit ndërkombëtar dhe përfundimit të administrimit serb në Kosovë.
Pas luftës, ajo e vazhdoi angazhimin e saj në jetën politike dhe publike. Brovina ishte deputete e Kuvendit të Kosovës dhe pjesë e strukturave drejtuese të Partisë Demokratike të Kosovës. Ajo u rizgjodh deputete në zgjedhjet e viteve 2004, 2007 dhe 2010.
Përgjatë veprimtarisë së saj publike, Flora Brovina u angazhua në çështjet që lidhen me të drejtat e grave dhe fëmijëve, si dhe në proceset e ndërtimit të institucioneve të Kosovës.























