Gjeloshaj: Aktgjykimi ndaj liderëve të UÇK-së i padrejtë, por jo përfundimtar
Tamara Nikçeviq
“Dita e sotme mund të jetë ditë zie për shqiptarët, por qëndrimi dinjitoz i të akuzuarve i jep forcë popullit shqiptar për ta përballuar këtë dhimbje, me besimin se ky aktgjykim i tmerrshëm do të rrëzohet në instancat më të larta. Çdo shqiptar në zemër e mban luftën e shenjtë të UÇK-së dhe komandantin legjendar Adem Jashari”, ka deklaruar zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe lideri i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj.
Zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj e ka cilësuar të padrejtë aktgjykimin ndaj ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ka shprehur bindjen se ai do të rrëzohet gjatë vazhdimit të procedurës. Ndërkohë, zyrtari i partisë prosrbe të opozitës “Ujedinjena Crna Gora”, Vladimir Dobriçanin, ka kërkuar që Hashim Thaçit t’i hiqet titulli i qytetarit nderi të Ulqinit.
Ish-liderët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi, janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet.
Procesi nuk ka përfunduar
Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Malit të Zi dhe lideri i Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, ka thënë se vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë e konsideron “jashtëzakonisht të padrejtë”, por ka theksuar se bëhet fjalë për aktgjykim të shkallës së parë dhe se procesi nuk ka përfunduar.
“Lajm shumë i keq dhe vendim jashtëzakonisht i padrejtë. Dita e sotme mund të jetë ditë zie për shqiptarët, por qëndrimi dinjitoz i të akuzuarve i jep forcë popullit shqiptar për ta përballuar këtë dhimbje, me besimin se ky aktgjykim i tmerrshëm do të rrëzohet në instancat më të larta”, ka deklaruar Gjeloshaj.
Lideri i Alternativës Shqiptare ka thënë se nuk e ka pritur një vendim të tillë dhe se beson se përmes procesit të ankesës do të dëshmohet pafajësia e të akuzuarve.
“Dua të them se kurrë nuk kam besuar se një vendim gjyqësor mund të jetë i tillë dhe kaq i padrejtë. Ky është vendim i shkallës së parë dhe procesi gjyqësor nuk ka përfunduar. Besojmë se, deri në përfundimin e plotë të procesit, do të dëshmohet pafajësia e të gjithëve”, ka shkruar Gjeloshaj në Facebook.
Ai ka përsëritur qëndrimin se lufta e UÇK-së ishte “vetëmbrojtëse, çlirimtare dhe e drejtë”, duke thënë se ajo u zhvillua për “mbijetesën, lirinë dhe shtetin e Kosovës”, me mbështetjen e aleatëve perëndimorë.
“Agresori nuk mund dhe nuk duhet të barazohet me atë që u detyrua të mbrohej”, ka thënë ministri malazez, duke shtuar se të akuzuarit i kanë respektuar institucionet ndërkombëtare, nuk janë fshehur dhe nuk kanë ikur, ndërsa luftën ligjore do ta vazhdojnë deri në fund.
“Çdo shqiptar në zemër e mban luftën e shenjtë të UÇK-së dhe komandantin legjendar Adem Jashari, por çdo shqiptar beson edhe në pafajësinë e tyre. Liria dhe pavarësia kanë një vulë: UÇK-në dhe Amerikën”, ka deklaruar Gjeloshaj.
Ai është ndalur edhe te një deklaratë e mëparshme për respektimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, duke thënë se një pjesë e fjalëve të tij ishte nxjerrë jashtë kontekstit. Si shembull, ai ka përmendur rastin e gjeneralit kroat Ante Gotovina, i cili pas dënimit në shkallën e parë u shpall i pafajshëm në procedurën e apelit.
“Kurrë nuk kam besuar se gjykatat ndërkombëtare mund të bëjnë padrejtësi. Edhe Ante Gotovina përjetoi padrejtësi në shkallën e parë, por në shkallën e dytë drejtësia fitoi. Besojmë deri në fund; lufta për drejtësi vazhdon”, ka shkruar Gjeloshaj.
Krahas publikimit në gjuhën shqipe, Gjeloshaj ka publikuar edhe një fotografi ku paraqitet harta e Evropës dhe një kurorë me gjemba, duke shkruar: “Turp!”.
Një mesazh të ngjashëm më herët e kishte dërguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kërkohet heqja e titullit të qytetarit nderi të Ulqinit
Ndërkohë, zyrtari i partisë parlamentare prosrbe “Ujedinjena Crna Gora”, Vladimir Dobriçanin, i ka bërë thirrje Qeverisë së Malit të Zi që të nisë procedurën për t’ia hequr Hashim Thaçit titullin e qytetarit nderi të Ulqinit.
Thaçi e kishte marrë këtë mirënjohje më 4 prill 2015, në një seancë solemne të organizuar me rastin e Ditës së Komunës së Ulqinit, së bashku me kryeministrin e atëhershëm të Shqipërisë, Edi Ramën.
Vendimin e kishte marrë kryetari i atëhershëm i Komunës së Ulqinit, Fatmir Gjeka.
Dobriçanin ka rikujtuar ceremoninë, ku, sipas tij, kishin marrë pjesë zyrtarët më të lartë të atëhershëm të Malit të Zi, kryeministri Milo Đukanoviq dhe presidenti Filip Vujanoviq.
“E ftoj Qeverinë e Malit të Zi që me procedurë urgjente t’ia heqë titullin e qytetarit nderi të Ulqinit Hashim Thaçit”, ka deklaruar Dobriçanin.
“Miq kur ishte më së vështiri”
Duke falënderuar për titullin e qytetarit nderi të Ulqinit, Hashim Thaçi në vitin 2015 kishte folur për marrëdhënien e Malit të Zi me refugjatët nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998-1999.
“Faleminderit që ishit miq me ne kur kishim më së shumti nevojë, në vitet 1998 dhe 1999, kur qindra mijëra refugjatë erdhën këtu”, kishte thënë atëherë Thaçi.
Gjatë dorëzimit të mirënjohjes, kryetari i atëhershëm i Komunës së Ulqinit, Fatmir Gjeka, kishte thënë se Rama dhe Thaçi kishin kontribuar në marrëdhëniet gjithëpërfshirëse të Malit të Zi me Shqipërinë dhe Kosovën, në bashkëpunimin rajonal dhe në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi.
Fatmir Gjeka, i cili sot është ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Qeverinë e Malit të Zi, është pyetur nga portali RTCG nëse do të propozojë heqjen e titullit të nderit për Thaçin, por nuk është përgjigjur.
Në të njëjtën pyetje nuk është përgjigjur as kryetari aktual i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.
Tamara Nikçeviq është bashkëpunëtore e RTK-së dhe mbulon temat nga rajoni.























