Në Janjevë sporti në shërbim të shëndetit mendor të të rinjve
Sh.G|RTKlive
Në kuadër të Muajit të Rinisë, Federata e Taekwondo-së e Kosovës, me mbështetjen e Ministrisë së Sportit dhe Rinisë , ka organizuar një aktivitet vetëdijësues dhe praktik për të rinjtë në hapësirat e shkollës “Shtjefën Gjeçovi” në Janjevë. Ky organizim ndërthuri sportin, mirëqenien mendore, vetëbesimin dhe aftësitë praktike të vetëmbrojtjes për komunitetin lokal.
Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 30 të rinj të moshës 15 deri në 24 vjeç, të cilët përmes ligjëratave interaktive dhe ushtrimeve praktike u trajtuan mbi menaxhimin e stresit, forcimin e vetëbesimit dhe përvetësimin e teknikave bazë për mbrojtje personale.
Vëmendjen kryesore të këtij organizimi e mori aktiviteti simbolik “Break the Barrier – Shkruaj dhe mposht frikën”. Në këtë pjesë të veçantë, të rinjtë shkruan në dërrasa frikërat, pasiguritë apo pengesat që dëshirojnë t'i tejkalojnë dhe më pas i thyen ato përmes teknikave të taekwondo-së, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm për përballjen me sfidat dhe besimin në vetvete.
Nga Ministria e Sportit dhe Rinisë bëhet e ditur se mbështetja e nismave të tilla synon të krijojë më shumë hapësira ku sporti shërben jo vetëm për përgatitje fizike, por edhe si një mjet kyç për mirëqenien psikologjike, zhvillimin personal dhe fuqizimin e rinisë.























