Dhunë, kanosje e dyshim për dhunim, këto janë rastet e raportuara nga Policia
M.Sh/RTKLive
Disa raste të dhunës, kanosjes dhe dyshimit për dhunim janë raportuar në 24 orët e fundit në disa rajone të Kosovës, ndërsa në disa prej tyre të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje, sipas raportit të Policisë së Kosovës.
Në Prishtinë, më 17 shtator rreth orës 10:30, janë arrestuar dy persona të dyshuar, pasi dyshohet se kanë sulmuar fizikisht një person. Si pasojë e sulmit, lëndime kanë pësuar viktima dhe njëri nga të dyshuarit, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.
Në Podujevë, rreth orës 15:35, është arrestuar një person nën dyshimin se ka kanosur një zyrtar policor, i cili ishte në kryerje të detyrës. Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar, ndërsa rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.
Në Novobërdë, rreth orës 18:00, është arrestuar një person nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të dhunimit ndaj një gruaje. Policia ka njoftuar se lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet e nevojshme policore për procedurat e mëtejme hetimore.
Ndërkohë, në Gjakovë është raportuar për një rast të sulmit fizik dhe kanosjes. Sipas Policisë, më 12 shtator rreth orës 18:20, një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht dhe më pas ka kanosur një grua. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Në Zubin Potok, më 17 shtator rreth orës 18:30, është shoqëruar në stacion policor një person, nën dyshimin se kishte sulmuar fizikisht një person tjetër. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.
Një rast tjetër është raportuar në rrugën “8 Maji” në Mitrovicën e Veriut. Më 17 shtator rreth orës 11:10, është intervistuar një person nën dyshimin se, derisa ishte duke drejtuar veturën, ka goditur një grua dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Sipas Policisë, ankuesja ka pësuar lëndime të lehta dhe pas marrjes së tretmanit mjekësor është liruar. Në konsultim me prokurorin, i dyshuari pas intervistimit është liruar, ndërsa rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.























