Pesë ditë aktivitete në Kosovë për Ditën Botërore të Turizmit
BKT
Kulturë

Pesë ditë aktivitete në Kosovë për Ditën Botërore të Turizmit

G.K/RTKlive

Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka njoftuar se Dita Botërore e Turizmit këtë vit do të shënohet me disa ditë aktivitetesh, të cilat do të zhvillohen nga 23 deri më 27 shtator.

Sipas njoftimit të Ministrisë, më 23 shtator, nga ora 09:00 në Vitomiricë, do të mbahet “Hackathon AI në Promovimin e Turizmit në Kosovë”. Në këtë aktivitet, 30 të rinj nga shkollat profesionale do të mësojnë të përdorin mjetet e inteligjencës artificiale për promovimin e turizmit në Kosovë. Përmes ushtrimeve praktike, ata do të krijojnë tekste, imazhe, faqe dhe video për destinacionet turistike.

Më 24 shtator, nga ora 10:00, aktivitetet do të vazhdojnë në Gjakovë, Deçan dhe Suharekë, ku tri ekipe prej nga 10 të rinj nga shkollat profesionale të turizmit do të zhvillojnë punë praktike në terren.

Të shoqëruar nga udhërrëfyes turistikë të licencuar dhe mentorë, të rinjtë do të vizitojnë atraksionet turistike, do të ndërveprojnë me operatorët dhe komunitetet lokale dhe do të krijojnë përmbajtje turistike digjitale përmes fotografive, videove, intervistave dhe storytelling-ut.

Më 25 shtator, nga ora 09:00 deri në 14:00, në Hotel Emerald në Prishtinë do të mbahet konferenca qendrore “AI në promovimin e turizmit në Kosovë”.

Konferenca do të mbledhë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, sektorit privat, shoqatave të turizmit, organizatave ndërkombëtare, trupit diplomatik, shoqërisë civile dhe të rinjve. Sipas njoftimit, synimi është krijimi i një platforme dialogu për gjendjen aktuale, sfidat dhe të ardhmen e turizmit në Kosovë, me fokus në digjitalizimin dhe inteligjencën artificiale.

Programi do të vazhdojë më 26 shtator, nga ora 08:00 deri në 17:00, me ecje dhe promovim të shtegut, Lugut të Butë dhe Liqenit të Shoshanit. Aktiviteti do të bashkojë përfaqësues të trupit diplomatik, institucioneve dhe aktorë të sektorit të turizmit nga Kosova, me qëllim promovimin e Kosovës si destinacion turistik.

Gjatë aktivitetit do të promovohen pasuritë natyrore të Kosovës, turizmi aktiv dhe i qëndrueshëm, gastronomia dhe ushqimet tradicionale, produktet vendore dhe mikpritja kosovare.

Më 27 shtator do të ketë hyrje falas nga ora 10:00 deri në 18:00 në Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku”, Parkun Arkeologjik Ulpiana, Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Galerinë Kombëtare të Kosovës, Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Muzeun Arkeologjik në Prizren, si dhe Muzeun e Qytetit të Mitrovicës.

Po më 27 shtator, nga ora 07:30 deri në 16:40, do të zhvillohet takim dhe ecje malore me alpinisten Uta Ibrahimi. Ecja do të nisë nga Brodi i Dragashit drejt Liqenit të Shutmanit, përgjatë një shtegu rreth 10 kilometra.

Aktiviteti do të bashkojë pjesëmarrës nga Deçani, Gjakova dhe Suhareka për të eksploruar peizazhet malore dhe për të përjetuar turizmin aktiv, ndërsa programi përfshin edhe udhëtimin e organizuar me autobus dhe udhëzimet para nisjes së ecjes. 


MË SHUME NGA Kulturë