Sot në Prishtinë hapet Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë
Sh.Ç/RTKlive
Në Amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, sot në orën 11:00, hapet edicioni i katërt i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë.
Festivali, i cili do të zgjasë deri më 27 shtator, sjell për pesë ditë një program të pasur me aktivitete kulturore, edukative, artistike dhe kreative, të dedikuara për fëmijët dhe familjet.
Ceremonia e hapjes do të shoqërohet me fjalë rasti nga organizatorët, mbështetësit dhe përfaqësuesit e institucioneve partnere, ndërsa më pas do të ndahen çmimet për “Lexuesit e vitit” nga Biblioteka “Hivzi Sulejmani”.
Programi i ditës së parë nis me aktivitetin “Palaço me shokë”, nga ora 11:30 deri në 12:30. Më pas do të promovohen librat e serisë “Më quajnë… Majlinda Kelmendi dhe Nexhmije Pagarusha”.
Nga ora 14:00 deri në 15:00, do të zhvillohen aktivitete në fushën e STEM-it, ndërsa programi do të vazhdojë me aktivitetin “Kids Dance on Reading Day”.
Një prej aktiviteteve të veçanta të ditës do të jetë “Një ditë me zjarrfikësit”, nga ora 16:00 deri në 18:00, ku fëmijët do të kenë mundësi të njihen nga afër me profesionin dhe punën e zjarrfikësve.
Përgjatë festivalit, vizitorët do të mund të vizitojnë edhe Panairin e Librit për Fëmijë, ku do të prezantohen botime nga shtëpi botuese të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas organizatorëve, festivali është konceptuar edhe si përgjigje ndaj nivelit të ulët të kulturës së leximit në Kosovë.
Hulumtimet tregojnë se gjatë vitit 2024, 53 për qind e qytetarëve të Kosovës nuk kanë mundur të përmendin të paktën tre tituj librash që kanë lexuar gjatë gjithë jetës.
Përmes aktiviteteve dhe afrimit të fëmijëve me librin, autorët dhe ilustruesit, organizatorët synojnë të nxisin kulturën e leximit që në moshë të hershme dhe ta bëjnë librin pjesë më të natyrshme të jetës së përditshme.
Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë organizohet nga ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe Komunës së Prishtinës.























