Hapet edicioni i katërt i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë
Sh.Ç/RTKlive
Në Prishtinë është hapur sot edicioni i katërt i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë, aktivitet që për pesë ditë do të sjellë një sërë veprimtarish kulturore, edukative dhe artistike të dedikuara për fëmijët.
Festivali do të mbahet deri më 27 shtator në Amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti”, me synim nxitjen e leximit dhe afrimin e fëmijëve me librin.
Në hapje të festivalit, drejtori ekzekutiv i ETEA-s, Agon Ahmeti, foli për rëndësinë e leximit në një kohë kur teknologjia dhe inteligjenca artificiale po bëhen pjesë gjithnjë e më e madhe e përditshmërisë.
Ai tha se përdorimi i teknologjisë është i rëndësishëm, por theksoi se libri mbetet i domosdoshëm për zhvillimin e mendimit kritik.
“Libri nuk bën me u harru. Librat na mundësojnë me bërë pyetje të mira dhe na e zhvillojnë mendjen për me bërë pyetje të mira. Në qoftë se na nuk lexojmë, na nuk dimë me bërë pyetje të mira, e kur nuk dimë me bërë pyetje të mira, inteligjenca artificiale nuk na jep përgjigje të mira”, tha Ahmeti.
Në hapje foli edhe drejtoresha e Bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, Naime Beqiraj, e cila tha se gjatë dy viteve të fundit janë krijuar klube të leximit për fëmijë.
Beqiraj njoftoi se nesër fëmijët do të kenë mundësi të regjistrohen falas në bibliotekë, nga ora 10:00 deri në 16:00, për një periudhë njëvjeçare.
Ajo tha se Biblioteka “Hivzi Sylejmani” ka organizuar aktivitete edhe në shkolla dhe institucione parashkollore, ndërsa theksoi se synimi është që fëmijët të jenë më të pranishëm në bibliotekat e qytetit.
Sipas saj, përveç bibliotekës qendrore në Dardani, biblioteka funksionon edhe në disa lagje dhe fshatra të Prishtinës.
Ajo përmendi edhe Bibliotekën e Fëmijëve në Pallatin e Rinisë, e cila u dedikohet moshave më të vogla dhe ofron libra në gjuhë të ndryshme.























