Nis Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë në Prishtinë|Video
Qendresa Duraku / RTK
Në Prishtinë ka nisur edicioni i katërt i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë, i cili për pesë ditë sjell aktivitete kulturore, edukative dhe artistike. Në panair janë prezantuar botime të reja nga shtëpi botuese të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Organizatorët synojnë ta forcojnë kulturën e leximit te fëmijët dhe ta afrojnë librin me gjeneratat e reja.
Në Prishtinë ka nisur edicioni i katërt i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë. Për pesë ditë me radhë, fëmijët dhe familjet do të kenë mundësi të marrin pjesë në aktivitete kulturore, edukative dhe artistike, ndërsa në panair janë prezantuar botime të reja nga shtëpi botuese të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Për fëmijët që morën pjesë në festival, libri është parë si mundësi për të mësuar, por edhe për të zbuluar histori të reja.
"E kam marrë librin "Legjenda" me mësu më shumë për luftën në Kosovë për Adem Jasharin dhe Hamëz Jasharin", tha Ema Morina, nxënëse.
"Interesimi i jem për librin është me lexu dhe me mësu më shumë. I kam blerë dy libra", tregoi Diell Kryeziu, nxënës.
"Libri im që e përzgjedha është '20 mijë milje nën det", thotë Diell Bytyqi, nxënës.
Por organizatorët thonë se qëllimi i festivalit shkon përtej një panairi librash. Në një kohë kur teknologjia dhe inteligjenca artificiale po zënë gjithnjë e më shumë hapësirë në përditshmërinë e fëmijëve dhe të rinjve, nisma synon të forcojë kulturën e leximit dhe ta afrojë librin me gjeneratat e reja.
"Në hulumtin e fundit që targeton të gjithë qytetarët e Kosovës në 22 komuna të gjitha grup moshat del që 53 përqind e qytetarëve nuk arrinë me i përmed 3 tituj të librave që i kanë lexuar gjatë gjithë jetës. Rrjedhimisht kjo është një prej nismave e Eteas për me i adresu këtë cështje edhe ka target pikërisht grupmoshat e reja sepse aty ëhstë mundësia më e madhe për me prezentu librin për me nxit leximin edhe me bë procesin e këndshëm", theksoi Agon Ahmeti, drejtor ekzekutiv i organizatës ETEA.
Në këtë përpjekje janë përfshirë edhe bibliotekat publike. Drejtoresha e Bibliotekës "Hivzi Sylejmani", Naime Beqiraj, thotë se gjatë dy viteve të fundit janë krijuar klube leximi, ndërsa fëmijëve u është ofruar qasje në hapësira të reja të dedikuara për ta.
"Së fundi, edhe në Pallatin e Rinisë, për moshat më të vogla, përplot ngjyra e libra në gjuhë të ndryshme, kemi Bibliotekën e Fëmijëve. Në secilën degë të bibliotekës, qoftë në lagje, qoftë në qendër, qoftë në Bibliotekën e Fëmijëve në Pallat, ne ju duam dhe ju mirëpresim", pohoi ajo.
Për ta nxitur leximin që në moshë të hershme, fëmijët do të mund të regjistrohen falas në bibliotekë gjatë ditës së nesërme. Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë do të vazhdojë deri më 27 shtator, në Amfiteatrin e Sheshit "Zahir Pajaziti" në Prishtinë.























