Intensifikohet puna për edicionin e katërt të Festivalit ‘Akordet e Kosovës’
BKT
Kulturë

Intensifikohet puna për edicionin e katërt të Festivalit ‘Akordet e Kosovës’

Ardita Tafallari /RTK

Përgatitjet për edicionin e katërt të Festivalit të Këngës që këtë vit vjen me emrin “Akordet e Kosovës” po hyjnë në një fazë më intensive, ndërsa puna për realizimin e festivalit tashmë po zhvillohet me ritme të shtuara.

Festivali i organizuar nga Radio Televizioni i Kosovës do të mbahet në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ndërsa netët e festivalit janë planifikuar për 30 dhe 31 tetor, kurse më 1 nëntor do të zhvillohet Festivali i Këngës për Fëmijë.

Pas përzgjedhjes së artistëve dhe këngëve që do të garojnë këtë vit, vëmendja tashmë është përqendruar te përgatitjet për realizimin e programit, skenës dhe pjesës teknike të festivalit.

Në prapaskenë po punohet në detajet e edicionit të katërt, ndërsa RTK ka përmbyllur edhe procedurën për shërbimet teknike të festivalit. Paralelisht, po zhvillohen procedurat për përgatitjen e skenografisë.

Ky edicion sjell edhe një risi, pasi nën ombrellën e “Akordet e Kosovës” do të zhvillohet edhe festivali për fëmijë, krahas garës së artistëve të rritur.

Në skenën e edicionit të katërt do të ngjiten artistë të njohur, por edhe emra të rinj të muzikës, ndërsa tashmë janë bërë publikë edhe emrat e këngëtarëve dhe titujt e këngëve konkurruese.

Me afrimin e fundit të tetorit, përgatitjet pritet të intensifikohen edhe më shumë, ndërsa ekipi organizativ po punon që gjithçka të jetë gati për tri ditët e festivalit.

“Akordet e Kosovës” rikthehet kështu edhe këtë vit në skenën muzikore, me synimin për të vazhduar traditën e festivalit dhe për të sjellë një tjetër edicion para publikut.


MË SHUME NGA Kulturë