Tre vjet nga Banjska, analistët flasin për ndikimin e sulmit në Kosovë
BKT
Lajme

Tre vjet nga Banjska, analistët flasin për ndikimin e sulmit në Kosovë

Sh.G|RTKlive

Tre vjet pas ngjarjeve të Banjskës, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, analistët që diskutuan në emisionin “RTK Prime” vlerësuan ndikimin e përleshjes në zhvillimet e mëvonshme të sigurisë, politikës dhe diplomacisë së Kosovës.

Duke folur për përballjen e parë të Policisë së Kosovës me grupin e armatosur, Ibrahim Shala tha se rezistenca e rreshterit Afrim Bunjaku dhe kolegëve të tij kishte rëndësi të veçantë për organizimin e forcave të sigurisë.

Sipas Shalës, kontakti i parë me grupin e armatosur e detyroi atë të ndryshonte planin fillestar, duke u krijuar forcave të sigurisë kohë për t'u organizuar dhe rigrupuar.

“Emri heroit Afrim Bunjaku, i cili e ka pasur rastin që i pari të bie në kontakt me këtë grup të armatosur diverzant. Dhe aty ku krisin pushkët e para që krisin, kjo ka rëndësi shumë të madhe për forcat e sigurisë tonë, ka pasur rëndësi shumë të madhe sepse i ka detyruar palën serbe me u dekonspiruar. Dhe rënia në përleshje duke e mbrojtur integritetin e vendit tonë e oficerit Afrim Bunjaku nuk është vetëm një detyrë aty për aty edhe që bie ky heroikisht në krye të detyrës, por rënia e këtij dhe rezistenca e këtij, kuptohet, bashkë me kolegët, ka peshë shumë herë më të madhe, shumë herë më të madhe nga fusha e sigurisë edhe e betejave. Sepse tash grupi i armatosur, grupi diverzant, është detyruar që gjithçka ta përshpejtojë edhe të devijojë nga skenari i vet. Dhe duke devijuar nga skenari i vet, forcat tona kanë pasur avantazhin që të organizohen, pozicionohen dhe rigrupohen, dhe kuptohet me shumë sukses betejën e parë. Dhe ende pa arritur ata që të japin komandë për kryengritje dhe që të, sipas kohës dhe orarit dhe hartave që i kanë pasur, janë dekonspiruar dhe pikërisht për këtë edhe e kanë humbur këtë betejë”, tha Ibrahim Shala.

Analistja Fatime Hajdari e cilësoi vrasjen e policit Afrim Bunjaku si një humbje të madhe, por tha se ngjarja pati ndikim edhe në zhvillimet politike dhe diplomatike të Kosovës.

Ajo theksoi ndryshimet në situatën e sigurisë në veri të vendit dhe argumentoi se zhvillimet pas Banjskës kanë ndikuar në forcimin e pozitës së Kosovës në raport me Serbinë dhe në nevojën për mbështetje ndërkombëtare.

“Në sa i përket kësaj çështjeje të parë të cilën e diskutuat parafolësit, që vijnë prej fushës së sigurisë, u përmblodhën ato që kanë ndodhur tre vite më herët, duke shënuar edhe rënien e heroit më të ri të Republikës së Kosovës, policit Afrim Bunjaku. Po, humbje e madhe. Padyshim që kurdo që shteti humb një njeri në uniformë, është humbje e madhe për të gjithë ne. Por megjithatë, rënja e policit Bunjaku ka shënuar një ngritje graduale të kësaj çështjeje politike dhe diplomatike të Republikës së Kosovës. Në këtë aspekt do të kisha theksuar më shumë çështjen e sigurisë në veri, e cila ka ndërruar kryekëput. U përmend edhe nga parafolësit në raport me Kosovën, duke i bërë presion në këtë pjesë. Pastaj çështja tjetër e avancimit të Kosovës në këtë drejtim, përveç kontrollit të shtruar tashmë në veri, është edhe në aspektin politik, sepse forcohen argumentet e Kosovës kundër Serbisë në aspektin e destruktivitetit të vazhdueshëm dhe tendencës për të marrë territor nga Republika e Kosovës, gjë që ne e kemi thënë në vazhdimësi, por sikur është harruar ndër vite nga faktori ndërkombëtar. Kjo bën që në të ardhmen Republika e Kosovës të ketë edhe një argument më shumë në tavolinë përballë Serbisë kurdo që vendoset për të vazhduar ai dialogu i stërzgjatur me Serbinë, e imponuar nga faktori ndërkombëtar. Tashmë në një situatë krejt të re, Republika e Kosovës ka arritur të shënojë fitoren e saj të parë, pavarësisht humbjes së madhe që kemi përjetuar si qytetarë të Republikës së Kosovës, por edhe si shtet. Përtej kësaj, mendoj që në të ardhmen, përveç këtij kontrolli të vazhdueshëm që Republika e Kosovës duhet të vazhdojë të mbajë, duhet të ketë të qartë edhe faktin që, pavarësisht bashkëpunimit të brendshëm, e ka të nevojshme edhe avokimin e ngritjes së kësaj çështjeje në raport me faktorin ndërkombëtar, në mënyrë që mbështetja të jetë më e madhe dhe më e përhershme sa i përket ruajtjes së kufijve të Republikës së Kosovës”, tha Hajdari.

Ndërkohë, analisti Sadik Zeqiri kritikoi reagimin e Bashkimit Evropian lidhur me mosdorëzimin e Milan Radojiçiqit dhe personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në sulmin në Banjskë.

Zeqiri tha se shprehja e keqardhjes nga Bashkimi Evropian për mosdorëzimin e të dyshuarve nuk përbën, sipas tij, presion të mjaftueshëm ndaj Serbisë.

“Pra, Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për mosdorëzimin e Radojiçiqit me kriminelët e tjerë që kryen sulmin. Por vetëm një keqardhje duket shumë pak si formë e presionit ndaj shtetit fqinj”, tha ai.

Duke folur për pasojat e sulmit, Zeqiri përmendi vrasjen e Bunjakut dhe plagosjen e dy policëve të tjerë, ndërsa tha se zhvillimet në Banjska duhet të shihen edhe në kontekstin e synimeve që, sipas tij, kishte Serbia.

“Së pari, po dal te rasti i Banjskës që ndodhi tre vite më parë, ku ne kemi pasur, kemi përjetuar një dhimbje sepse është vrarë polici Afrim Bunjaku. Është dhimbje jo vetëm për familjen, por për të gjithë Kosovën, sepse është vrarë në uniformën e policisë. Kemi të plagosur dy policë të tjerë, por që tashmë janë mirë. Por kemi fituar një betejë të madhe sepse kemi fituar karshi planit të Serbisë për ndarjen e Kosovës”, theksoi ai.

Zeqiri kritikoi gjithashtu qasjen ndërkombëtare ndaj Serbisë për rastin e Banjskës, duke kërkuar që personat e dyshuar për sulmin të përballen me drejtësinë.

“Dhe sigurisht që reagimi i Bashkësisë Evropiane është që ndiejnë keqardhje pse ata nuk janë dorëzuar apo nuk i kanë dorëzuar drejtësisë, por ata janë ende të lirë dhe janë nën mbrojtjen e presidentit serb Vuçiç, i cili në çdo ditë, në çdo kohë, ai takohet me liderët e Bashkimit Evropian dhe të botës demokratike, ndërkohë që nuk i kërkohet atij që ata njerëz t'i dorëzohen drejtësisë qoftë drejtësisë në Kosovë, sepse ata kanë bërë krim në Kosovë, qoftë drejtësisë së Serbisë, sepse dikush duhet të merret me ta”, tha ai.

Ai e përshkroi sulmin si një ndërhyrje të armatosur në territorin e Kosovës dhe tha se, sipas tij, përgjegjësit duhet të japin llogari.

“Ata kanë sulmuar një vend të pavarur, një republikë të pavarur, sepse edhe ka qenë një si njësi diverzante ushtarake që ka hyrë në territorin e Kosovës për të ndarë pjesë të Kosovës ose për t'ia bashkuar Serbisë. Prandaj dikush duhet t'i japë llogari, dhe bashkësia ndërkombëtare nuk e ka marrë me seriozitet këtë çështje”, tha ai.

Zeqiri kritikoi edhe masat e atëhershme të ndërkombëtarëve ndaj Kosovës pas ngjarjeve në veri. Ai shprehu kritika ndaj qasjes së bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë dhe Kosovës.

“Kështu që unë nuk kemi çfarë me prit më shumë nga bashkësia ndërkombëtare, sepse çdo gjë që bëhet e që ata vlerësojnë që është në dëmin e serbëve jo të popullsisë, por të serbëve të armatosur ata japin një notë proteste të Serbisë, ndërsa vazhdojnë prapë bisedimet dhe vazhdojnë prapë investimet më shumë në shtetin që ka bërë krimin në Kosovë se sa tek ne”, tha Sadik Zeqiri.


MË SHUME NGA Lajme