Dita e tretë e Festivalit të Librit për Fëmijë me aktivitete të shumta
BKT
Kulturë

Dita e tretë e Festivalit të Librit për Fëmijë me aktivitete të shumta

RTKlive

Në Prishtinë, më 25 shtator, është mbajtur dita e tretë e edicionit të katërt të Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë, në Amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti”.

Gjatë ditës, fëmijët patën mundësi të bëhen pjesë e një programi me aktivitete kulturore, edukative, artistike e kreative, përfshirë muzikë, takime me shkrimtarë, punëtori në fushën e elektronikës dhe aktivitete që nxisin kreativitetin dhe të mësuarit përmes historive.

Programi filloi në ora 10:00 me “Muzikë me Erletën: We Will Rock You”, ndërsa nga ora 11:00 deri në 12:00, QKSGJ zhvilloi aktivitetin “Për të gjithë”.

Nga ora 12:00 deri në 13:00, fëmijët patën mundësi të marrin pjesë në një takim me shkrimtaren Dije Demiri Frangu. Programi vazhdoi nga ora 13:00 deri në 14:00 me Akademinë JCoders dhe aktivitetin “Eksploro Elektronikën me Labbox”.

Nga ora 14:00 deri në 15:00, Teach for Kosova zhvilloi aktivitetin “Kutia magjike e historive”, i cili u pasua nga aktiviteti “Historia që ndërtohet bashkë”, nga ora 15:00 deri në 16:00.

Të gjithë fëmijët, prindërit, adhuruesit e librit dhe vizitorët ishin të mirëpritur të marrin pjesë në aktivitetet e festivalit dhe të njihen me botime të ndryshme për fëmijë dhe të rritur nga shtëpitë botuese të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Sipas organizatorëve, Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë organizohet mbi nevojën për rritjen e kulturës së leximit në Kosovë.

Hulumtimet e organizatës ETEA tregojnë se në vitin 2024, 53 për qind e qytetarëve të Kosovës nuk kanë arritur të përmendin as tre tituj të librave që kanë lexuar gjatë gjithë jetës.

Festivali synon që përmes afrimit të fëmijëve me librin, autorët, ilustruesit dhe aktivitetet edukative, kulturore e argëtuese, të nxisë kulturën e leximit që në fëmijëri.

Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë, edicioni i katërt, organizohet nga ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sylejmani”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe Komunës së Prishtinës.

Festivali mbahet nga 23 deri më 27 shtator 2026, në Amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.


MË SHUME NGA Kulturë